Gazetari dhe komentatori Kristo Thoma i sportit, në emisionin "Sport Zone" në MCN TV, ka treguar një bisedë me trajnerin Hasan Lika, para se ky i fundi të largohej drejt SHBA. Thoma zbuloi se Lika i kishte folur në lidhje me ndërhyrjet e mundshme që do të kishte te Shqipëria, në rast se trajneri do të ishte shqiptar. Gjithashtu ai foli edhe për komentin, gjatë golit të shënuar nga Armandi Broja ndaj Hungarisë.
“Ulërima te goli i Brojës? Nuk lind te goli i Brojës. Ka qenë temë mes komentatorësh ndërkombëtarë.
Ka qenë shumë i sinqertë si reagim. Asnjëherë në koment nuk kam ofenduar asnjë lojtar apo skuadër kundërshtare. Jam munduar të jem korrekt. Nuk mund të bëjmë rolin e budallait, të themi diçka që nuk është. Natyrisht entuziazmi kur skuadra jonë është pranë golit është më i madh.
Duhet të bëhesh i njëtrajtshëm, me ata që të ndjekin. Kur unë komentoj derbi Tirana-Partizani, do jem asnjanës. Kam tifoz nga të dyja skuadra. Mua më kanë bërë tifoz të shumë skuadrave, pa qenë tifoz i tyre.
Vinim nga një ndeshje me Poloninë, ku luajtëm shumë mirë, pro humbëm. Ishim në një ndeshje vendimtare me Hungarinë. Kemi pasur nraste të shumta dhe rrezikuam ta pësonim. Kur shënon një djalosh për fitoren, bëhesh një me tifozët. Provoj të jem nga ata komentatorë, që të mos e ngre zërin pa ndonjë arsye.
Trajner shqiptar për Kombëtaren? Nuk më takon ta them unë nëse duhet trajner shqiptar apo i huaj. Unë kam vlerësim të madh për shumë trajnerë shqiptarë. Reja ka eksperiencë të madhe, ndryshe nga Panuçi.
Hasan Lika më ka thënë diçka para se të ikte në SHBA. ‘Nëse unë do isha trajner i Kombëtares, ti do vije të më kërkoje një nder’, më tha Lika për ndërhyrjet e mundshme.
Lojërat Olimpike kanë një tjetër ndjesi. Detyrohesh të fitesh edhe në sporte që nuk i njeh. Detyrohesh të mësosh rregulloret e sporteve të ndryshme. Edhe garat e notit më japin një emocion të veçantë.”, u shpreh Kristo Thoma.



