
Milani dhe Interi po përgatiten të bëhen me pronarë të rinj. Është ky lajmi që qarkullon në mediat italiane në ditët e fundit. Sipas raporteve në Itali, thuhet se Suning dhe Elliott, kanë nxjerrë në shitje dy klubet nga Milano.
“Il Sole 24 Ore”, raporton se amerikanët e Elliott po mendojnë të ndalin investimet te Milani dhe për këtë arsye janë në kërkim të pronarëve të rinj, për ta shitur klubin. Për një shitje të mundshme të kuqezinjve është përfolur edhe në të kaluarën, ku është përmendur emri i pronarit të markës “Louis Vuitton”, Bernard Arnault, për të cilin është thënë se ka interes të marrë në pronësinë e tij Milanin.
Nga ana tjetër, edhe Suning po mendon të shesë Interin. Pas problemeve financiare të klubit zikaltër, që në këtë merkato u detyrua të sakrifikojë dy nga lojtarët më të mirë të skuadrës, Hakimi dhe Lukaku, Suning tashmë po mendon ta shesë klubin, pasi nuk duan të investojnë më aty, duke parë krizën financiare me të cilën po përballen dhe thuhet do të pranohej një ofertë prej 600 milion eurosh, nëse aty përfshihen edhe borxhet e klubit.



