Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, e quajti si rast të çuditshëm golin e anuluar ndaj Interit. Megjithatë pas eliminimit nga Kupa, tekniku kuqezi deklaroi se tashmë skuadra duhet të reagojë në kampionat, duke filluar nga ndeshja e radhës, ajo me Lazion.
Interi u tregua më i zoti se ne dhe shfrytëzoi mjaft mirë rastet e krijuara. Humbja është e pastër, por ne golin tonë e bëmë. Portieri nuk protestoi për asnjë moment për pozicion jashtë loje dhe ky është një rast i çuditshëm. Kundërshtarët protestuan për prekje me dorë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Nuk është momenti që të qajmë këtë humbje, pasi kemi fazën finale të kampionatit dhe duhet të reagojmë në mënyrën e duhur. I njoh mirë djemtë dhe e di që do të reagojnë që në ndeshjen e radhës ndaj Lazios.



