Surpriza e kësaj jave në provat zyrtare në Formula 1 mban emrin e Valtteri Bottas.
Piloti i Mercedes ka siguruar sot “pole position” në pistën e Spielberg, të vlefshëm për garën e Çmimit të Madh të Austrisë.
Ndërsa prozhektorët ishin të fokusuar në duelin e tejzgjatur të titullit, mes Hamilton e Vettel ishte Bottas që bëri më mirë provat e Austrisë.
Një paraqitje e mirë e pilotit finlandez, që ishte më i shpejti në përfundim të tri sesioneve të provave zyrtare, duke dhënë kohën 1’04”251, “pole” nr.2 në karrierën e tij. Ai përfitoi edhe nga gabimet e rivalëve të tij në xhiron e fundit të shpejtë për të siguruar këtë rezultat fantastik, duke e nisur garën nga vija e parë. Në krah të tij, në vijën e parë të startit, do të jetë edhe Sebastian Vettel me Ferrari, që dha një kohë të mirë.
Vetem i treti Lewis Hamilton me makinën tjetër Mercedes, që bëri disa gabime në pistë gjatë xhiros së fundit, duke mos arritur dot të japë një kohë të mirë. Por piloti britanik është penalizuar me 5 pozicione për shkak të ndërrimit të kambios dhe do ta nisë garën e nesërme nga vendi i tetë. Pas tij u rendit Kimi Raikkonen me makinën tjetër Ferrari. Pas pilotit të “kokëkuqes” u klasifikuan dy makinat Red Bull, me Daniel Ricciardo që ishte më i shpejtë se shoku i tij Max Verstappen.



