
Trajneri i Partizanit, Ilir Daja e cilëson si ndeshje të vështirë, atë ndaj Skënderbeut, që është kundërshtari i radhës në kampionat.
Duke folur për mediat në prag të sfidës me korçarët, tekniku kryeqytetas është shprehur se skuadra e tij vjen nga një moment i mirë. I pyetur në lidhje me merkaton e janarit, Daja tha se skuadra e tij do të përforcohet, ndërsa shtoi se ndryshe nga viti i kaluar, Partizani këtë sezon po vuan nga dëmtimet.
“Vijmë pas tre javëve të fundit të kampionatit me 2 fitore dhe një barazim. Po në këtë gjendje vjen edhe kundërshtari pasi ka marrë pikë me ekipet e vendeve të para të renditjes. Në këto 10 javë kemi kuptuar që nuk ka ndeshje të lehta, pasi çdo skuadër mund të marrë pikë ndaj kujtdo. Megjithatë vijmë në një moment të mirë, pasi në 3 ndeshjet e fundit kemi marrë edhe pikët dhe shkojmë me besim në duelin ndaj Skënderbeut.
E kam thënë shpeshherë që elementi kryesor i Partizanit është fryma e grupit. Lojtarët kanë një kimi të shkëlqyer me njëri-tjetrin pra kanë një frymë të mirë grupi pasi në 3 ndeshjet e fundit kanë sakrifikuar shumë dhe ja ka kanë dalë.
Në ndeshjet e fundit kemi pasur përballje të vështira me Skënderbeun. Ata janë një skuadër për t’u vlerësuar pasi mbrohen mirë, dinë të dalin para dhe në kundërsulm janë të frikshëm. Gjithsesi ne kemi punuar mirë gjatë kësaj jave, kemi pasur kohën e mjaftueshme për ta përgatitur këtë sfidë dhe do të përpiqemi ta godasim Skënderbeun aty ku ka pikat e dobëta, jemi në një moment të mirë dhe luajmë për maksimumin.
Në këtë sezon kemi pasur shumë dëmtime, ndryshe nga një sezon më parë. Jam i kënaqur me grupin. Respektoj të gjithë lojtarët që kam aktualisht në dispozicion dhe nuk mund të përmend emra që mund të afrohen në merkato në respekt të tyre. Normal që do të bëjmë përforcime në janar, pasi kemi nevojë për të plotësuar grupin me disa element të tjerë, por jam i kënaqur me grupin që kam.
Kemi mungesa ndaj Skënderbeut siç është ajo e Albion Markut i skualifikuar, ndërkohë që edhe Filipovic nuk është gati dhe do të kthehet në stërvitje javën e ardhshme. Përsa i përket Alban Hoxhës do të vendosim pas takimit që do të bëjmë me trajnerin e portierëve.”, u shpreh Daja.



