Kukësi ka mposhtur me rezultatin 2-0 Dinamon, në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut.
Rastet nga të dyja skuadrat nuk munguan, por verilindorët ishin më të saktë përpara porte dhe ia dolën të realizojnë dy herë.
Fillimisht ishte braziliani Feijao që zhbllokoi sfidën në minutën e 23, ndërsa Ardit Hila në minutën e 61, realizoi edhe golin e dytë për Kukësin, me penallti.Trajnerët Bledi Shkëmbi dhe Diego Longo, panë gjendjen e skuadrave të tyre në prag të fillimit të kampionatit, i cili do të startojë javën e ardhshme.
Vlen të përmendet se gjatë gjithë historisë Kukësi dhe Dinamo nuk janë përballur asnjëherë në Kategorinë Superiore. Në dekadën e fundit Dinamo ka qenë 9 sezone radhazi pjesë e Kategorisë së Parë, po aq sa Kukësi në Superiore.



