Pasi humbi përballë Alexander Zverev në finalen e turneut botëror në ATP të hënën, Rafael Nadal pati një debat në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Ylli i tenisit, i cili aktualisht renditet numri një në botë, debatoi me reporterin italian, Ubaldo Scanagatta.
Gazetari e pyeti nëse martesa e kohëve të fundit me të dashurën e tij prej 15 vjetësh kishte ndonjë lidhje me humbjen e tij në finale. Nadal dhe Xisca Perello u martuan në Majorka më 19 tetor. Nadal ka thënë se pas dasmës bëri vetëm një ditë pushim.
"Sonte, loja nuk ishte në nivelin e duhur. Nuk e di pse, nuk është diçka që ndodh me ty. Dua të di, sepse për shumë njerëz, martesa është një gjë shumë e rëndësishme dhe shpërqendruese. Para martesës, gjatë martesës, pas martesës", thotë Scanagatta, megjithëse nuk shfaqet në videon e debatit.
"Përqendrimi juaj në tenis ka qenë pak më ndryshe edhe pse jeni me të njëjtën vajzë prej shumë shumë vitesh", shtoi gazetari.
"Sinqerisht, po më bën një pyetje të tillë?”, u përgjigj i habitur Nadal. “Seriozisht e ke këtë pyetje?"
"Është e habitshme të më pyesësh këtë sepse kam qenë i lidhur me një vajzë për 15 vjet dhe kam pasur një jetë shumë të qëndrueshme dhe normale. Nuk ka rëndësi nëse i vendos unazë në gisht apo jo. Në mënyrën time, unë jam një djalë shumë normal. Ndoshta për ju është ndryshe... Sa kohë keni me gruan?”
Kur reporteri iu përgjigj ai ka 30 vjet me gruan, Nadal u përgjigj: "Po më parë? Ah, mbase më parë nuk ishe kaq i sigurt. Kjo është arsyeja. Ne kalojmë te pjesa e intervistës në spanjisht, sepse këto janë broçkulla”.



