
Do të luhen ditën e sotme sfidat e kthimit të turit të tretë në Conference League. Në fushë do të zbresin edhe 3 skuadra shqiptare.
Më të vështirë e ka Laçi, që është thuajse i skualifikuar, për shkak të humbjes 3-0 në ndeshjen e parë ndaj Anderlecht në “Elbasan Arena”. Kurbinasit do të kërkojnë një rezultat pozitiv në Belgjikë, ndonëse e dinë që kualifikimi është një mision thuajse i pamundur.
Teuta, përballet me irlandezët e Shamrock Rovers. Këta të fundit triumfuan ndeshjen e parë në shetpi minimalisht, por kampionët e Shqipërisë besojnë te përmbysja dhe do të kërkojnë me çdo kusht kalimin në “play-off”. Sfida do të luhet në “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 20:00, ku durrsakët do të kenë edhe mbështetjen e tifozëve.
Dy orë më herë se dy skuadrat e Superiores, në fushë do të zbresë edhe kampionia e Kosovës, Prishtina. Bardheblutë sfidojnë në transfertë norvegjezët e Bodo/Glimt. Kosovarët triumfuan në ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri” me rezultatin 2-1 dhe do të kërkojnë të mbrojnë avantazhin, për të kaluar më tej, për të bërë gjithashtu historinë dhe për të tentuar grupet.



