Vetëm shtatë kilometër nga Pogradeci, manastiri i Shën Naumit është një prej atraksioneve kryesore turistike në Maqedoninë e Veriut. Manastiri ndodhet në fshatin Ljubanishtë dhe ndërthur bukurinë e natyrës me trashëgiminë fetare.

Nuk mund të thuash se ke parë Maqedoninë nëse nuk ke ardhur njëherë në Shën Naum, të thotë cilido që punon apo shërben në kompleksin buzë Ohrit.

Themeluesi i manastirit është shkrimtari dhe mësuesi mesjetar Naum, i cili jetoi midis viteve 835-910 pas Krishtit. Ai ishte një nga shtatë nxënësit e vëllezërve të shenjtë të Selanikut, Kirili dhe Metodi, shpikës të shkrimeve glagolitike dhe cirilike. Naumi ishte murg në vitin 893, kur u emërua peshkop dhe së bashku me Shën Klementin themeluan Shkollën Letrare të Ohrit me 3500 nxënës.

Manastiri kushtuar kryeengjëjve të shenjtë Gabriel dhe Mihail u ndërtua në vitin 905. Ai do të shkatërrohej midis shekujve 11 dhe 13, për t’u rindërtuar në shekullin e 16-të si struktura bizantine që ruhet edhe sot.

Shenjtori Naum, i njohur për shumë mrekulli në të gjallë të tij, e ktheu manastirin në kodër në vendin e shenjtë që është edhe sot. Banorë të zonave përreth, pavarësisht gjuhës që flisnin, i drejtoheshin atij me besimin se do të gjenin shpresë e shërim. Manastiri më pas krijoi lidhje të ngushta me Voskopojën, e cila për shkak të pranisë së shtypshkronjës së parë në Ballkanin Osman, u kthye në një qendër jetëshkurtër, por kryesore, e kulturës ortodokse.

Shën Naumi i Ohrit vdiq në vitin 910 dhe u varros brenda manastirit. Mitet dhe legjendat thonë se po t’i afrohesh arkivolit të gurtë, mund të dëgjosh edhe sot rrahjet e zemrës së tij. Ndërsa guidat turistike thonë se është uji i Liqenit të Ohrit që përplaset me formacionin shkëmbor poshtë.

Kisha e Kryeengjëjve të Shenjtë, e cila është pjesa qendrore e kompleksit, i është nënshtruar disa herë restaurimit.

Afresket dhe muralet brenda kishës mbajnë firmën e një ikonografi të njohur shqiptar të mesjetës.

Terpo Zografi ishte njëri prej nipërve të dy vëllezërve Zoografi, ndjekës të shkollës së David Selenicës. Dora e tij dallohet në kishat e zonës së Korçës, në mënyrë të veçantë në Voskopojë.

Një element tjetër karakteristik i kishës është ikonostasi me gdhendje të artë, i bërë në vitin 1714. Edhe këtu është dora e një mjeshtri shqiptar, i cili ka realizuar pothuajse të gjitha ikonat e lëvizshme të bazilikave kryesore të Voskopojës si dhe shumë të tjerave në zonat përreth.

Manastiri i shenjtorit Naum do të shërbente si pikë referimi për banorët e zonave rreth liqenit të Ohrit deri në vitin 1925, kur mbreti Zog ia dhuroi atë dhe tokën rreth tij Jugosllavisë së asaj kohe. Izolimi i Shqipërisë komuniste i dha fund ndërveprimit të dy popujve fqinj, që komunikonin në të dyja gjuhët, bënin tregti e martesa dhe festonin së bashku. Prej më shumë se tre dekadash, ajo traditë është rikthyer dhe në fshatin sivëlla të Tushemishtit, vetëm 4 kilometra larg tij, mund të flasësh shqip apo maqedonisht e të kuptohesh pa problem.

Dhe pasi ke vizituar kompleksin ku natyra, religjioni dhe arti kishtar nga duart e mjeshtreve shqiptarë shkrihen bukur, do të largohesh duke marrë me vete bekimin e shenjtorit që fle mbi kodër.