Fundmaji paralajmëroi përhapjen e flakëve të Shqipërisë, kur vatrat e para nisën të skuqnin nëpër male e kodra. Gjithçka nis me një rutinë shekullore të fermerëve dhe barinjve, të cilët djegin arat për prodhim të bollshëm dhe shkrumbojnë barin për kullota të reja. Por në lojë hyjnë edhe elementë të panjohur që ndoshta synojnë dëmtimin e ekonomisë shqiptare. Pasojat janë në kufijtë e katastrofës, pasi ky mesgusht e gjen Shqipërinë me afro 800 vatra zjarri që kanë shkrumbuar më shumë se 200 hektarë me pyje, shkurre, ullinj, etj. Për fat të mirë askush nuk ka vdekur nga zjarri, por janë plagosur 5 efektivë zjarrfikës dhe të ushtrisë. Me qindra banorë janë evakuuar, kur flakët u kanë rrezikuar jetën, ndërsa Emergjencat Civile kanë mbetur në udhëkryqin e përmotshëm, atë të përpjekjeve në kufijtë e njerëzores. Djem që paguhen me 30 mijë lekë muaji hyjnë mespërmes zjarreve, aq saç kushton një orë fluturimi me avion. Këtë e saktëson Shemsi Prençi, kreu i Emergjencave Civile.



