Ndiqni intervistën me ambasadorin gjerman Peter Zingraf dhënë për Blerina Goce dhe “EuropeIN” në MCN TV për politikën energjitike dhe ushtarake të Gjermanisë dhe rreth konfliktit në Ukrainë.
1-Pas muajve të vështirë të epidemisë, Gjermania dhe Evropa po përballen me sfida të reja. Agresioni brutal ushtarak rus kundër një vendi të pavarur evropian ripërcakton status-quo-në e vendosur që nga Lufta e Dytë Botërore dhe minon sigurinë evropiane të vendosur me Aktin Final të Helsinkit. Situata është edhe më komplekse sepse ekonomia e fuqishme gjermane mbështetet në gazin rus për të plotësuar nevojat për energji.
A mund të elaboroni pak më shumë mbi planet e ndryshueshme të Gjermanisë për të marrë një rol pak më të sigurt në një skenë botërore, veçanërisht në dritën e zhvillimit të fundit ushtarak?
Ministrja jonë e re e Jashtme theksoi se të enjten e kaluar ne të gjithë u zgjuam në një botë ndryshe dhe mendoj se agresioni rus në Ukrainë nuk godet vetëm Ukrainën dhe popullin e saj, civilët dhe fëmijët, por gjithashtu edhe ligjin ndërkombëtar dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Kështu pra, në këtë situatë të re ne duhet të marrim vendime. Dhe Gjermania ka marrë vendime së bashku me aletatët e saj, veçanërisht me BE-në dhe NATO-n.
Këto vendime përfshijnë gjithashtu dhe fushën ushtarake. Disa e kanë komentuar këtë si një kthesë 180 gradë të politikës gjermane, por unë nuk do ta shihja në këtë mënyrë. Për rastin e Gjermanisë, do të doja të ktheheshim një moment në kohë tek rënia e perdes së hekurt në Evropë. Ne të gjithë shpresonim që përfundimi i Luftës së Ftohtë do të sillte një dividend paqeje. Në fillim dukej se vendet e Bllokut Lindor u kthyen në shtete demokratike dhe kishte shpresë për një dividend paqeje, por thirrja e parë për zgjim erdhi më shumë se 20 vite më parë, pikërisht në këtë rajon me luftërat jugosllave dhe me luftën në Kosovë, i cili ishte momenti i parë kur Gjermania vendosi të dërgojë ushtarë jashtë vendit. Si për ironi të fatit ishte përsëri koalicioni i Social Demokratëve dhe të Gjelbërve, të cilët u rikthyen në qeveri pas 16 vitesh drejtimi të Kristian Demokratëve. Atyre iu desh të merrnin këtë vendim të vështirë. Edhe tani, kur sërish ky koalicion sapo ka filluar punën e tij, i duhet të marrë vendime serioze në këtë drejtim, veçanërisht për të rritur shpenzimet ushtarake. Ky ka qenë një proces i vazhdueshëm përgjatë viteve të shkuara. Objektivi i famshëm prej 2% i NATO-s ekziston prej njëzet vjetësh dhe është fiksuar politikisht në vitin 2014, si një synim për t'u arritur në rreth dhjetë vjet. Ne ishim duke shkuar në atë drejtim por me një farë distance. Tashmë vendimi për të rritur shpenzimet ushtarake është marrë me një lëvizje të madhe. Ky është një zhvillim që është kushtëzuar nga ngjarjet por është në linjë me angazhimin ndërkombëtar të Gjermanisë, duke mbështetur organizatat ndërkombëtare me mjete politike dhe financiare, së pari BE, NATO dhe Kombet e Bashkuara, por edhe të tjera organizma ndërkombëtarë.
2- Po aq e rëndësishme është sfida me të cilën po përballet Gjermania në lidhje me strategjitë energjetike dhe ndikimin e tyre në siguri dhe mjedis. Çfarë po propozohet, jo vetëm për të reduktuar varësinë e ekonomisë nga gazi rus, por në të njëjtën kohë për të kaluar drejt burimeve të rinovueshme të energjisë?
Ne dëshirojmë të diversifikojmë dhe të ‘gjelbërojmë’ përdorimin e energjisë. Ne duhet të ndërpresim burimet e energjisë së karbonizuar dhe kjo politikë mori një shtysë të madhe gjatë fushatës zgjedhore në Gjermani vitin e kaluar. Po ashtu dhe mbështetja e Partisë së Gjelbër në këtë kontekst ka qenë e madhe. Tani Partia e Gjelbër është sëerish pjesë e qeverisë. Pra, domosdoshmëria për të reaguar ndaj ndryshimeve klimatike është shumë e pranishme politikisht dhe më lejoni t’ju sjell ndërmend çfarë ndodhi në Gjermani vitet e shkuara: Ne patëm për disa kohë thatësira që shkatërruan pyjet. Përpos kësaj, vitin e kaluar patëm përmbytje të tmerrshme me kosto të mëdha, para së gjithash kosto njerëzore, ku humbën jetën 200 qytetarë si dhe miliarda euro dëme në infrastrukturë, rrugë, shtëpi, ura, në tubat e ujit, hekurudha etj.
Kështu që kjo çështje ishte shumë prezente në fushatën elektorale dhe ajo çfarë ndodhi theksoi edhe më shumë nevojën për transformimin e konsumit të energjisë drejt energjisë së gjelbër dhe energjive të rinovueshme.
Përpos të gjitha këtyre, tani shtrohet edhe sfida e sigurisë, pasi nuk mund të jemi të mbivarur nga Rusia si furnizues, veçanërisht në sektorin e gazit.
3- Në lidhje me agresionin rus, si ka ndryshuar mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën, veçanërisht në lidhje me pajisjet ushtarake të prodhimit gjerman. Cila është ndihma konkrete e Gjermanisë në këtë pikë?
Dëshiroj të përmend mbështetjen mbresëlënëse që të gjithë ne po i japim Ukrainës. Nëse mund të kthehem tek Gjermania: përpara krizës, përpara luftës, përpara agresionit, ajo ka qenë donatori më i madh bilateral i Ukrainës. BE është donatori më i madh në total, por si donator bilateral kryeson Gjermania. Solidariteti që është shfaqur tani në vendin tim, por akoma më shumë dhe në vendet fqinje me Ukrainën: Polonia, Sllovakia, Hungaria, Rumania është mbresëlënës dhe ne dëshirojmë ta çojmë më tej këtë solidaritet, edhe në lehtësira humanitare.
BE ka vendosur që refugjatët ukrainas të pranohen në vendet e BE, pa u kërkuar atyre që të aplikojnë fillimisht për azil dhe ata do të kenë këtë status për tre vjet.
Kjo është vetëm një pjesë e ndihmës për të zbutur vuajtjen humanitare. Ndërkohë, pjesa tjetër është për të ndihmuar Ukrainën që t’i bëjë ballë agresionit dhe pikërisht këtu mund të flasim për një kthesë të vërtetë të politikës gjermane.
Ne kemi vendosur t’i ofrojmë armë Ukrainës, armë mbrojtëse dhe kjo është me të vërtetë një kthesë madhore në politikat gjermane. Dërgimi i armëve në zonat e konfliktit ka qenë diçka që as nuk çohej ndërmend nga Republika Federale dhe aq më tepër qeveria e re e sapoardhur kishte synim të ishte akoma dhe më kufizuese në eksportin e armëve, por ne i dhamë armë mbrojtëse Ukrainës, duke përfshirë këtu anti-tanke, armë për mbrojtjen nga sulmet ajrore si dhe armë të llojeve të ndryshme.
4-Kohët e fundit vendet evropiane, por edhe vende si Kanadaja dhe SHBA kanë ndërmarrë një sërë sanksionesh kundër Rusisë. Cilat janë sanksionet gjermane në këtë paketë sanksionesh që janë miratuar ndaj Rusisë?
Këto sanksione janë ndërmarrë tërësisht me partnerët tanë të aleancës; në instancat e para me BE-në dhe SHBA-në, si dhe me disa të tjera p.sh. Mbretërinë e Bashkuar apo Zvicrën.
Sanksionet kanë për qëllim të godasin thelbin e pushtetit, grupe personash të lidhur me presidentin dhe lidershipin e shtetit, janë sanksione ndaj bankave dhe Bankës Qendrore të Rusisë, ku ka llogari rrjedhëse financiare.
Përjashtimi i bankave ruse nga sistemi SËIFT është shembulli më i fortë por njëkohësisht bën pjesë tek masat më të targetuara.
Këto sanksione do të godasin Rusinë dhe ne jemi përgatitur të paguajmë çmimin. Ndoshta ky është moment i mirë të shpreh mirënjohjen time dhe vlerësimin për Shqipërinë, për instancat shqiptare dhe shqiptarët për rreshtimin 100 përqind me BE-në, për politikat dhe sanksionet e ndjekura. Roli i Shqipërisë është vlerësuar së shumti, ashtu si dhe roli që ju luani si anëtar i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, për të qenë vendosmërisht në kampin e partnerëve europianë, BE-së dhe NATO-s. Faleminderit për këtë!
5 - Gjermania po i kushton vëmendje të veçantë energjisë së rinovueshme dhe mbrojtjes së mjedisit. Çfarë mund të thoni për mbështetjen gjermane në Shqipëri në këtë fushë?
Bashkëpunimi ynë vazhdon prej shumë shumë vitesh dhe jemi fokusur në fusha që në të vërtetë lidhen thellësisht me mjedisin dhe mbrojtjen klimaterike, siç e quajmë tani. Dua të përmend dy shembuj të rëndësishëm: menaxhimi i mbetjeve të ngurta dhe menaxhimi i ujrave të zeza.
Kjo është diçka ku jemi fokusuar prej shumë vitesh dhe menaxhimi i ujrave të zeza prek dhe ndihmon rreth gjysmën e popullsisë urbane të Shqipërisë.
Së bashku me partnerët: BE dhe Zvicrën, ne po i japim shumë rëndësi kësaj çështjeje prej vitesh dhe programi më i madh aktual ka një “magnitude” deri në 125 milonë euro, të kombinuara këto së bashku me partnerët.
Kjo është nga shtytjet tona për të përmirësuar kushtet e të jetuarit këtu, për të ndihmuar mjedisin dhe për të ndihmuar Shqipërinë që të jetë dhe të mbesë një vend turistik tërheqës.
6-Çfarë mund të thoni për bashkëpunimin gjermano-shqiptar dhe si mund të forcohen më tej marrëdhëniet mes dy vendeve?
Pas më shumë se dy vitesh këtu në Shqipëri mund të them se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe janë gjithnjë në rritje.
Ne kemi hyrë në fushën e bashkëpunimit menjëherë pasi Gjermania Perëndimore rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, në ato kohë ende komuniste, në vitin 1988.
Ne kemi investuar më shumë se 1 miliard Euro në bashkëpunime dhe besoj se jemi donatori më i madh në nivel bilateral, por sigurisht BE kryeson dhe është padyshim donatori më i madh dhe partneri më i madh për Shqipërinë në tërësi.
Mendoj se dy vendet po rriten së bashku. Gjithnjë e më shumë turistë nga Europa dhe Gjermania po vizitojnë Shqipërinë.
Pati një pauzë përgjatë pandemisë por mendoj se ata po rikthehen sërish.
Në Gjermani është gjithashtu dhe një komunitet shqiptar. Nuk është aq i madh sa komunitetet në dy fqinjët tuaj, Greqia dhe Italia, por është i tillë sa të mund të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kështu që mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe ne vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj i madh për integrimin evropian.
Këtë e konfirmoi dje në një intervistë televizive dhe Kancelari Gjerman: ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara me procesin e zgjerimit dhe veçanërisht me hapjen e negociatave të zgjerimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shpresoj që dhe shtytja që patëm për të vendosur dhe hedhur së bashku hapin e rëndësishëm pas këtij ndryshimi të skenarit botëror të 30 viteve të fundit do të na ndihmojë gjithashtu.
-Së fundi, si e shihni të ardhmen e Europës, duke pasur parasysh zhvillimet e reja?
E marr Europën së pari në sensin e BE-së. Në këtë moment pyetja më e madhe për Europën është ajo që diskutuam.
BE ka bërë gjithmonë hapa progresivë dhe evolucion në periudhat e krizës, kështu që shpresoj vërtet që kjo krizë do të na bëjë të përqendrohemi në prioritete tona dhe të ecim përpara së bashku.
Zgjerimi është nje fushë, por janë edhe shumë të tjera që presin për vendime të përbashkëta, siç është fusha e energjisë së gjelbër si dhe shumë të tjera. Shpresoj që të paktën ne do të çojmë përpara prioritetet tona në sfondin e agresionit rus. Në këtë situatë dramatike, të paktën ne duhet të ecim përpara bashkë dhe mund ta bëjmë.
Bisedoi: Blerina Goce



