
Dy vjet pasi shteti u prishi kishën e Shën Thanasit, banorëve të Dhërmiut, është qeveria shqiptare ajo që ka vendosur rindërtimin e saj, ashtu siç ishte ndërtuar para disa shekujsh. Në vitin 2015, kisha u shkatërrua nga fadromat e INUK, pasi muret dhe tavani ishin ndërtuar pa lejë, por duket se brenda këtij viti, dhërminjotët do të kenë sërish kishën e tyre.
"TemA TV" intervistoi drejtoreshën e monumenteve, e cila shpjegoi detaje të projektit, ndërsa 2 klerikë ortodoksë dhe banorët vendas, japin përshtypjet e tyre. Duhen edhe 6 muaj që Dhërmiu të mbipopullohet nga qindra e mijëra pushues, që gjejnë aty relaksin e dëshiruar, ndaj fshati jugor ishte thuajse i boshatisur në këtë fillimjanar të vitit 2018. Aty banojnë shumë pak vendas, pasi pjesa më e madhe e pronarëve të shtëpive, hoteleve apo restoranteve ndodhen në Tiranë ose jashtë kufijve të Shqipërisë.
Të rinjtë e vetëm që ndodhen në fshat janë nga Puka, nga zona të tjera veriore apo pranë qarqeve kufitare me Himarën dhe të gjithë janë të punësuar në turizëm. Ullinjtë e hershëm, malet madhështore dhe uji kristal janë dëshmitarët e vetëm që vërtetojnë ekzistencën e fshatit edhe në këto ditë dimri. Sapo kalon kthesat që të çojnë drejt tij, hapet edhe horizonti i kësaj panorame mahnitëse, që mbart madhështi të pakufijshme.
UNESCO ka filluar të zbatojë një projekt, për rregullimin e rrugëve apo banesave, që ka filluar prej majit të kaluar dhe mendohet se do të përfundojë në shtator të këtij viti. Dhërmiu është vetëm një prej fshatrave piktoreskë që rezulton brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, ndonëse gjuha e folur në këto zona të Himarës, vihet përherë në pikëpyetje, shqip apo greqisht???.
Banorët, mes tyre, i alternojnë gjuhët, si tu vijë më mbarë, por kur vjen puna te liturgjitë në kishë, është thuajse taksative që përdoret greqishtja….efekt. greqisht…. Kjo që sapo dëgjuat ishte vetëm një fragment nga ceremonia e festës së ujit të bekuar, apo festës së dritës siç e quanin vendasit. Më 6 janar të këtij viti, prifti Thimio Bixhili bekoi besimtarët në kishën e Shën Harallamit, një prej afro 30 kishave që ndodhen në Dhërmi. Por ç kishte ndodhur një ditë më parë, me priftin e fshatit? Klerikun e hasëm duke zbritur tatëpjetën me benzin e tij të zi.
Çdo fjalë për ta bindur, është e kotë. Ai nuk thotë asgjë rreth projektit për rindërtimin e kishës, as për hatër të besimtarëve që u shërben dhe as për hir të Perëndisë që i lutet çdo moment. Efekt…..prifti me benz. Megjithatë, ca njerëz të mirë na japin një këshillë tepër të vlefshme. “Prisni deri nesër në mëngjes, sepse kemi festën e ujit të bekuar dhe do mblidhemi të gjithë në kishë, aty diçka do mësoni”.
Drita e mëngjesit të 6 janarit preku të gjithë fshatin, nga mesi i detit të thellë e deri tek majat e larta të maleve, ku dhitë ngjiteshin pa problem, duke humbur ndër lartësi. Besimtarët fillojnë të mblidhen grupe grupe. Kisha i mirëpret të gjithë, pa përjashtim dhe aty rreth orës 8, brenda këtyre ambienteve që në sistemin e diktaturës, ishte vatër kulture, u mblodhën afro 100 veta. Ceremonia vazhdoi derisa kryqi u hodh një enë dhe uji u bekua. Gjithkush mori një shishe prej këtij uji dhe një copë nga buka e bekuar.



