
Nëse flet për Janinën, detyrimisht do ta nisësh nga kalaja e Ali Pashës. E lidhur ngushtë me qytetin, kalaja mbi kodër dhe e gjithë zona rreth saj është një palimpsest që ruan gjurmë të qarta të periudhës helenistike, asaj bizantine dhe periudhës otomane, kur edhe pati kulmin e shkëlqimit, falë Ali Pashë Tepelenës. Kalaja është simboli i qytetit, themelimi i të cilit i është atribuar fillimisht perandorit bizantin Justinian në shekullin e 6 pas Krishtit, por kërkimet moderne arkeologjike kanë zbuluar prova më të hershme të vendbanimeve helenistike. Përgjatë shekujve që pasuan, Janina u kthye në një territor multikulturor, ku dominoi besimi i krishterë, islam dhe elemente të hebraizmit. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh i prefekturës së Epirit lulëzoi sidomos në fund të shekullit XVII. Tregtia dhe artizanati i dhanë asaj mundësinë të krijonte lidhje me qendra të rëndësishme tregtare evropiane, si Venediku dhe Livorno. Ali Pasha e sundoi pashallëkun e Janinës për 32 vjet, në kulmin e lulëzimit të saj. Ai arriti ta kthente në qendër të tregtisë ndërkombëtare, politike, ekonomike dhe mbi të gjitha intelektuale.
Kalatë janë vetëm një pjesë e vogël e trashëgimisë së jashtëzakonshme ndërtimore që ai la pas. Në të gjallë të tij, pashai i Janinës fitoi respektin e personaliteteve të kohës si Lord Bajron, Aleksandër Dyma apo Gëte. Ai Pashë Tepelena u kthye në pak kohë në sundimtarin e gjysmës së territoreve të Greqisë dhe Shqipërisë së jugut. I dyzuar mes Lindjes dhe Perëndimit, pashai i Janinës e dominoi historinë e Ballkanit për 32 vjet. I përshkruar si tiran, vrasës, mizor e gjakatar, ai u vlerësua njëkohësisht edhe si reformator, strateg e diplomat.
Lord Bajroni e përshkruan kështu Ali Pashën, në një letër drejtuar nënës së tij:
Lartësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i shëndoshë dhe jo i gjatë, por me fytyrë të hollë, sy blu të çelur dhe mjekër të bardhë. Është shumë i sjellshëm dhe në të njëjtën kohë zotëron atë dinjitet që unë e shoh universal tek turqit. Pamja e tij është çdo gjë tjetër përveçse asaj që ai është në të vërtetë. Ai është një tiran që nuk e njeh pendesën, fajtor për mizoritë më të tmerrshme, por shumë trim dhe gjeneral aq i mirë, saqë e quajnë atë Bonaparti muhamedan. Napoleoni i ka ofruar dy herë që ta bëjë Mbret të Epirit, por ai preferon interesin anglez dhe urren francezët siç më tha vetë. E duan të dy palët sepse shqiptarët janë më luftëtarët ndër ata që sundon sulltani, megjithëse Aliu është vetëm nominalisht i varur nga Porta. Ka qenë një luftëtar i fuqishëm, por është sa barbar aq edhe i lavdishëm...
Ali Pashai i ka lënë Janinës jo vetëm emrin dhe historinë, por edhe një trashëgimi të jashtëzakonshme arkitekturore. Projektet urbanistike e kanë lidhur kalanë me pjesën moderne të Janinës, një qytet plot jetë, të rinj dhe turistë nga e gjithë bota. Kalaja shtrihet brenda një perimetri prej 1800 metrash dhe është ndër të paktat ende të banuara. E restauruar herë pas here, e gjithë hapësira brenda kalasë strehon sot rreth 14 mijë banorë. Kjo zonë që njihet si fytyra historike e qytetit mban brenda saj dhjetëra monumente kulture, që ruajnë gjurmë kristiane, myslimane, armene, hebreje, katolike etj.
Giorgios Smiris:
Është plot me monumente të të gjitha epokave. Nis në mënyrë të veçantë me ato të shekullit XIX, kohë kur popullohej nga myslimanë, hebrej, katolikë. Pjesa më e madhe janë shprehje e identitetit të popullit që ka jetuar aty nën sundimin otoman. Ka edhe monumente otomane, janë 18 xhami dhe 7 teqe.
Katër xhami janë aktualisht në proces restaurimi. Ndërsa pjesa moderne e qytetit sheh nga e ardhmja, kalaja në bregun perëndimor të liqenit është vetë historia. Muzeu Bizantin brenda kalasë është një pasqyrë e historisë së Janinës që shekulli i katërt para Krishtit e deri në shekullin XIX.
Valter Shtylla:
Duhet theksuar se është ngritur mbi themelet e sarajeve të Ali Pashë Tepelenës. Fatkeqësisht sot nuk ruhet asnjë gjurmë, por mbi planimetrinë është rikonstruktuar Eforia Bizantine e Janinës.
Jo shumë larg saj ndodhet xhamia Fetie, e ndërtuar mbi rrënojat e një kishe bizantine. Xhamia mund të jetë ndërtuar në vitin 1611 dhe iu vu emri Fetie, që në turqisht do të thotë pushtim. Formën që ka sot e mori në vitin 1795, për t’iu përshtatur nevojave të sarajeve të pashait të Janinës. Ngjitur me xhaminë Fetie, ndodhet varri i Ali Pashës. Trupi pa kokë i pashait të Janinës u varros aty në vitin 1822, krah gruas së parë, Eminesë. Mbulesa dekorative prej çeliku, e cila u dëmtua gjatë luftës së dytë botërore u zëvendësua me një kopje besnike në vitin 1999, me nismën e Shoqatës së Miqve të Antikitetit të Janinës. Ky vend u bë banesa e parë e Ali Pashës, pasi koka e tij iu çua sulltan Mahmudit të dytë në Stamboll. Por ky varr nuk është banesa e fundit për trupin e pashait të Janinës.
Jo shumë larg sarajeve të Ali Pashës, gjenden gjurmë të banorëve shumë më të hershëm të kalasë. Kulla e normanëve i përket vitit 1080. Pushtuesit e atëhershëm të Janinës lanë pas një kullë me gurë të punuar, gjurmët e të cilës ruajnë një nga fazat më të hershme ndërtimore të kalasë. Ajo që është sot Muzeu i Punimeve në Argjend, ka qenë dikur pjesë funksionale e kalasë, e shtrirë përgjatë murit të saj të brendshëm. Sinkron Valter Shtylla Në kurrizin tim duken disa harqe të murit të brendshëm të kalasë që mund të konsiderohen si faza më origjinale e periudhës ndërtimore Ali Pashës. Kalaja e Ali Pashës ndahet në dy pjesë: Its Kale ose kalaja e brendshme dhe akropoli i poshtëm, e cila është edhe sot zonë e banuar. Në kulmin ekstrem buzë liqenit, brenda its kalesë, gjejmë xhaminë e Asllan Pashës, e ndërtuar në 1618, mbi themelet e pallatit të despotëve të Janinës. Në akropolin e poshtëm gjejmë hamamin e kalasë, një nga më të rëndësishmit në rajonin e Ballkanit, në rehabilitim e sipër. Ngjitur me hamamin gjendet biblioteka e shekullit XIX, e pak metra më tej Sufari Saraj, e ndërtuar diku rreth vitit 1820, për t’i shërbyer pashallëkut të Janinës si shkollë kalorësie. Sot ndërtesa shërben si Arkiva e Përgjithshme e Shtetit. Ali Pashai i la të gjithë zonës ku shtrihej pashallëku i tij kala, kisha, xhami, rrugë, ujësjellës dhe ura, për të cilat u angazhuan inxhinierë e mjeshtra nga e gjithë Europa.
Valter Shtylla:
Në sarajet e tij punonin teknikë, inxhinierë, arkitektë të kualifikuar, të cilët kanë ndërmarrë shumë ndërtime që kanë edhe sot emrin e tyre dhe të sponsorit të tyre, Ali Pashë Tepelenës.
Pas çlirimit nga sundimi otoman, Janina ishte ndër të parat qytete greke që i deklaroi të gjitha këto objekte monumente kulture. Pjesa historike e qytetit është gërmuar me kujdes shtresë pas shtrese, për ta bërë atë pjesë të jetës kulturore dhe sociale të Janinës, sot një qytet modern.
Giorgios Smiris:
Ka hyrë në jetën sociale të Janinës, e cila jashtë mureve të kalasë është një qytet i ri dhe modern, me universitet, shkolla, me industri të ndryshme, një qytet që ecën drejt së ardhmes, por pa harruar kurrsesi fytyrën e saj historike.
Fytyra historike e Janinës do të ishte e paplotë pa copëza të saj të shpërndara nëpër qytet e të ruajtura me fanatizëm. Banesa e një fisniku të shekullit XIX, në mes të qytetit, tani është kthyer në muze të arkitekturës së banesës popullore dhe një pjesë e saj shërben si administrata e Teatrit të Janinës.
Valter Shtylla:
Është një godinë e restauruar nga specialistët vendas. Është një godinë me prejardhje nga shekulli XIX, me emrin Petrisela, i rëndësishëm në qytetin e Janinës. Janë sarajet e tij.
Përgjatë rrugës drejt modernizimit, e reja nuk ia ka dalë ta sfidojë asnjëherë historinë në Janinë. Qyteti është zgjeruar, duke iu përshtatur nevojave të kohës, por pjesa historike e tij mbetet edhe sot e shenjtë. Jorgos Smiris, dekan i Fakultetit të Arkitekturës, i cili përgatit restauratorët e rinj, thotë se terreni mbi të cilin është ndërtuar rishtas, deri në atë pikë sa nuk ka më hapësirë, e bën të dmosdoshme një qasje të re në raport me trashëgiminë arkitektonike, por pa cenuar në asnjë rast atë që është shprehje e identitetit të një populli.
Giorgios Smiris:
Në pak vite, të gjithë inxhinierët dhe arkitektët do të detyrohen të rishikojnë të gjithë trashëgiminë arkitektonike të të gjithë epokës. Por ajo e antikitetit i përket diçkaje tjetër: I përket lindjes së idetitetit tonë. Askush nuk mund të shohë nga e ardhmja nëse nuk e di se nga vjen.
Objektet e trashëgimisë kulturore dhe historike i gjen kudo. Nëpër rrugicat e lagjes që ruan ende gjurmët e pazarit të vjetër gjen të paprekur nga koha gjimnazin “Zosimea”. E themeluar në vitin 1828 nga vëllezërit Zosimas, kjo shkollë luajti një rol mjaft të rëndësishëm gjatë periudhës së fundit të sundimit osman në rajon. Shkolla që përgatiti shumë prej emrave të Rilindjes Kombëtare Shqiptare kryen ende të njëjtin funksion. Dikur aty kanë studiuar Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Naim, Sami dhe Abdyl Frashëri, Ismail Qemali e të tjerë.
ISHULLI I JANINËS
Qyteti buzë liqenit nuk mund të kuptohet pa ishullin Pamvotis, edhe ky i lidhur ngushtë me Ali Pashën. Pikërisht këtu, në manastirin e Shën Pandeleimonit, më 5 shkurt 1822, Ali Pashë Tepelena u ekzekutua nga trupat e Rushit Pashës. Vrasja e tij do të realizonte atë që në rrëfimet për Ali Pashain njihet si profecia e Shën Kozmait të Etolisë, i cili pati parashikuar se pushtetin e jashtëzakonshëm të tij dhe vajtjen në Kostandinopojë me mjekër të kuqe. Hyrja e muzeut të sotëm shenjohet me vendimin e Mahmut Pashës për të ndëshkuar me vdekje pashain e Janinës.
Në fermanin me të cilin sulltani urdhëronte ekzekutimin e tij me vdekje, thuhet:
Dihet se përgjatë gati 40 viteve, Ali Pashë Tepelena u mbulua me dhurata nga Porta e Lartë, e cila i besoi qeverisjen e disa provincave. Ai vetë, të bijtë dhe të gjithë njerëzit që e rrethonin panë veç të mira nga sulltani. Por pavarësisht kësaj, pa treguar mirënjohje, në mënyrë të vazhdueshme ai e kundërshtoi vullnetin e portës së lartë, duke përdorur lloj-lloj pabesish për të mbajtur nën zgjedhë njerëzit që qeverisi.
Valter Shtylla:
Godina ku është vrarë Ali Pasha është dykatëshe. Në katin e parë janë ato që quhen bodrume, që sot i kanë përshtatur si dhoma e ndenjes e dimrit. Është një aneks interesant i improvizuar, me personazhe të bërë me parafinë. Sipër, me shkallë të gurta hipën në çardak. Në mes bie në sy ambient kryesor, ku edhe është vrarë. Ai u vra aty pasi nuk u dorëzua. Ushtarët turq hynë në bodrume dhe e goditën nga poshtë. Pastaj gjysmë të vdekur e nxorën dhe i prenë kokën në shkallë.
Koka e prerë e Ali Pashës iu çua më pas sulltanit në Stamboll në pjatë të argjendtë, një moment që është përjetësuar në pikturën e Agim Sulajt, e cila prej shumë vitesh i rri si kurorë muzeut të tij.
Në muze gjen armët e pashait dhe besnikëve të tij. Sundimtari i Janinës kishte shumë armë, të cilat i pëlqente t’i tregonte para miqve e vizitorëve të sarajeve të tij, por mes tyre spikat një armë e vitit 1804, e cila krahas aspektit funksional është edhe një kryevepër e artit epirot. Një vend të veçantë në muze ka çibuku i Ali Pashës, me të cilin shfaqet në të gjithë pikturat dhe skicat e kohës. Por veziri që dikur Porta e Lartë e quajti luani i Janinës, nuk mori kurrë tiparet e një sundimtari tipik otoman.
Peter Oluf Brønsted, arkeolog danez, e përshkruan kështu:
Ky njeri i mrekullueshëm më dukej, nga fizionomia dhe nga sjelljet, shumë larg profilit të një turku të moshuar të rangut të lartë. Ai nuk kishte asgjë nga ajo çehre e bardhë dhe delikate, që është aq e zakonshme për sundimtarët turq në moshë; ai ishte i zeshkët dhe burrëror; gjestet i kishte të gjalla dhe të prera, nuk kishte absolutisht asgjë nga ngadalësia dhe graviteti që i karakterizon turqit e rangut të lartë. Aliu, siç më thoshin grekët, madje tallej shpesh me sjelljen e tyre gati teatrale. Ai fliste shpejt, lëvizte shpejt dhe me një fjalë, nuk kishte asgjë prej turku në moshë, përveç veshjes që mbante; — kishte trupin e një greku dhe shpirtin e një shqiptari.
Veshjet karakteristike të bashkëkohësve të tij zënë vend në pavionin e katit të dytë, ku së bashku me bizhuteritë dhe enët qeramike e kthejnë atë në një dritare nga ku mund të shohësh Epirin e kohës kur sundoi Ali Pashai. Pranë dhomës ku dikur rrinte Aliu, ndodhet edhe dhoma e torturës, karakteristike për sundimtarin e egër që përveçse shtypi të gjithë ata që ngritën krye ndaj tij, pati guximin të sfidonte edhe Portën e Lartë, deri aty sa ta çonte pashallëkun e tij në prag të shpalljes shtet i pavarur. Gruaja te e cila pashai i Janinës gjente prehje, Vasiliqia, e shoqëron kudo figurën e tij. Nga haremi, ajo u fut në sarajet e pashait si gruaja e tij e dytë, kur ishte vetëm 27 vjeçe dhe ai 75. Vasiliqia ishte e vetmja që arrinte t’ia zbuste zemrën pashait dhe i qëndroi në krah deri në minutat e fundit. Veshjet, stolitë dhe objektet e saj personale ruhen edhe sot siç i ka lënë ajo.
Një histori tragjike dashurie mbyll udhëtimin në ishullin që mban fytyrën e Ali Pashait. Historia e Frosinisë, njëra nga gratë më të bukura të Janinës lidhet ngushtë me liqenin. Ajo u dënua nga pashai për marrëdhënien jashtë martesës që pati me djalin e Aliut, Myftar Pasha. Frosinia u mbyt në liqen bashkë me 16 gra të tjera, pas ankesës së gruas së Myftarit te vjehrri, për pabesinë e të shoqit. Për të mos humbur aleancën me babain e saj, Ali Pasha vendosi ekzekutimin e Frosinisë. Dashuria e ndaluar u dënua me mbytjen në ujërat e liqenit Pamvotis, një skenë që është rikrijuar në pavionin që mban emrin e Frosinisë. Dy shekuj pas sundimit të Ali Pashës, Janina ruan me fanatizëm çdo gjurmë të tij. Qyteti ku e sotmja dhe e shkuara nuk mund të kuptohen të ndara, fle dhe zgjohet nën hijen e kalasë së vezirit të Janinës, që prehet në dy varre.



