Të rinjtë në Shqipëri zënë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë së vendit..
Partitë dhe organizma të tjerë tashmë kanë më shumë funksionarë të rinj dhe veçanërisht përpara zgjedhjeve, çështjet rinore kthehen në qendër të vëmendjes të fjalimeve dhe premtimeve, ashtu si me gjasë do të ndodhë edhe në zgjedhet e ardhshme.
Megjithatë kërkesat dhe nevojat e të rinjve në shumë raste nuk përmbushen dhe ngjan se reagimi ndaj tyre është sipërfaqësor.
Papunësia rinore në Shqipëri është ende ndër më të lartat në Ballkan, ndërsa sistemi i edukimit nuk i përmbush pritshmëritë, gjë që bën që shumë të rinj duan të largohen nga vendi.
Sipas studimit të fundit të EUROSTAT, numri i të rinjve shqiptarë që janë larguar përfundimisht nga vendi në këto 10 vitet e fundit ka arritur në 140 390 të rinj e të reja që kërkojnë azil në vendet e Europës.
Kërkesat për azil gjatë vitit 2019 pësuan një rritje të ndjeshme me 24%, duke e renditur vendin tonë ndër vendet që rrezikon shumë shpejt plakjen e popullsisë dhe në një periudhë afatgjatë edhe shpopullimin e saj.
Ndëkohë, sipas një studimi të “Friedrich Ebert Stiftung” për Rininë në Evropën Juglindore gjatë viteve 2018/2019, Shqipëria ka shifrat më të larta në rajon të të rinjve, me 77 përqind, të cilët duan të emigrojnë jashtë vendit.
Është interesante të vërehet se vendi i preferuar për të emigruar për shqiptarët është Gjermania e pas tij Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.



