Kosova ka përmbyllur të hënën procesin e votimit për marrëveshjen e re të kyccjes ndërmjet sistemit energjetik të Kosovës dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSOE) që i hap rrugë pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës.
Në një komunikatë të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) thuhet se “me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasojë, KOSTT-i dhe Republika e Kosovës përfundimisht dalin nga Blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni Veriore) dhe i bashkohet Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri-Blloku AK”.
Zyrtarët e KOSTT-it thanë në një komunikatë se “kjo është një ditë e madhe historike për KOSTT-in dhe për gjithë Kosovën. Me zhvillimet e sotshme, edhe në aspektin energjetik KOSTT dhe Republika e Kosovës pavarësohen nga Serbia”.
Më tej, nënvizohet se ky zhvillim i hap rrugë KOSTT-it për integrimin në tregun rajonal të energjisë, pjesëmarrjes në bursën shqiptare të energjisë (APEX) si dhe vënies në operim të linjës 400 kilovoltëshe Kosovë-Shqipëri.
Votimi i marrëveshjes u mirëprit nga udhëheqës të institucioneve, partive politike dhe ambasadave.



