
Platforma DPI, e përdorur për të bllokuar aksesin në TikTok, nuk mund të përgjojë komunikime.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike sqaron zyrtarisht për MCN se sistemi analizon vetëm sinjalet që tregojnë se një përdorues po komunikon me një aplikacion të caktuar, por pa pasur mundësi të lexojë apo ruajë përmbajtjen e mesazheve.
Institucioni sqaron se komunikimet janë 100% të enkriptuara, çka e bën teknikisht të pamundur çdo formë përgjimi përmes DPI-së.
Platforma nuk mund të deshifrojë të dhëna, të identifikojë përdorues, as të krijojë profile të sjelljes individuale.
Sa i përket ruajtjes së informacionit, AKSK deklaron se të dhënat që analizohen, si IP publike, portat e komunikimit dhe frekuenca e përdorimit nuk përmbajnë elementë identifikues dhe nuk mund të lidhen me individë të caktuar, pra nuk realizohet asnjë lloj profilizimi.
Pas përfundimit të përdorimit, log-et fshihen përmes metodave të sigurta të enkriptimit ose asgjësohen fizikisht, sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë ISO 27001.
Në këtë proces, Qendra e monitorimit pranë AKEP ka rol vetëm administrativ: përcakton rregullat e bllokimit për TikTok, por nuk akseson asnjë përmbajtje.
Sipas AKSK, lidhur me këtë teknologji Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka konfirmuar se masat nuk bien ndesh me ligjin për mbrojtjen e privatësisë.



