
Të rinjtë që nuk dëgjojnë kanë mundësi të shijojnë muzikën falë një projekti të ri. “Feel the beat”, i ideuar nga Amad Center, sjell për herë të parë në Shqipëri qasjen dhe aktivitetet që i mundëson këtij grupi të rinjsh me më pak mundësi të përjetojnë aktivitetet muzikore. Përmes hapësirave të dedikuara ku luhet muzikë, projekti synon të mundësojmë integrimin e të rinjve që nuk dëgjojnë.
Seanca e parë e edukimit dhe trajnimit muzikor për të rinjtë që ndjekin shkollën e mesme të Institutit të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Dëgjim u zhvillua më 13 tetor. Djem dhe vajza të këtij institucioni arsimor morën pjesë individualisht dhe në grup duke luajtur muzikë vetë dhe duke “dëgjuar” ritmin përmes vibrimeve të muzikës nga instrumenti i daulles.
Aktiviteti i parë do të pasohet nga pesë mini koncerte në pesë lokale të ndryshme në Tiranë, ku këta të rinj do të kenë mundësinë të shijojnë koncertet me muzikë live dhe të ndërveprojnë me të rinjtë e tjerë.



