Funksionoi për 20 vite, është ende burg ndoshta më i veçanti në llojin e tij pasi aty s’ka asnjë të dënuar. Një plan ende jo zyrtar por të cilin Fact Check ka mundur ta zbulojë, bën fjalë për rikthimin e Vaqarr në një burg modern dhe me kushte të larta sigurie.
Parafërsisht 10 km nga qendra e Kryeqytetit është distanca me IEVP Vaqarr njohur si burgu i Vaqarrit. Ky institucion i ekzekutimeve të vendimeve penale është në territorin e ish-komunës Vaqarr, sot njësi administrative pjesë e Bashkisë Tiranë. Ambientet në të cilat funksionon aktualisht IEVP Vaqarr kanë shërbyer si repart ushtarak nën varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas nën varësi të Ministrisë së Rendit Publik. Ky institucion njihej me emrin burgu 327 Vaqarr.
Në vitin 1996 këto ambiente kaluan në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Gjatë vitit 1998 ambientet u përshtatën si institucion të vuajtjes së dënimit. Punimet përfunduan në prill të vitit 1999. Në maj të këtij viti u transferuan të dënuarit e parë, një numër i reduktuar prej 25 vetash. Gjatë viteve në vazhdim, vazhdoi transferimi i të dënuarve sipas parimit rajonal.
Për të krijuar kushte sa më normale për personat me liri të kufizuar, janë bërë një sërë investimesh ndër të cilat mund të përmendën, fushat e ajrosjes, fushën e futbollit, basketbollit, këndi sportiv, ngritja e ofiçinës ku janë punësuar një numër i konsiderueshëm të dënuarish, furrën e bukës, serë për kultivimin e luleve dhe pemëve, shkolla e trajnimit për stafin policor etj.
Në vitin 2004 institucioni merr emrin zyrtar Institucioni i Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Vaqarr. Ky institucion u kategorizua siguri e zakonshme me një seksion për të miturit. Kapacitetet maksimale të ofruara janë për 146 persona.



