Rruga e ndërtuar nga romakët mbetet alternativa më e favorshme për të lëvizur drejt Korçës. Ndërsa rrugët e kohëve modern dhe postkomuniste janë prishur dhe janë të pakalueshme.
Situata e krijuar në juglindje të vendit, edhe pse zyrtarisht nuk ka një afat për zgjidhjen e saj dhe për kohën kur njerëzit dhe mallrat mund t’i rikthehen lëvizjes së lirë, ka sjellë një zgjidhje të pazakontë. Shpëtimi i shqiptarëve këtë herë është gjetur në Romën e Lashtë apo Perandorinë Romake.
Kjo pasi gjurmët e vjetra dhe pjesët e mbetura të rrugës Egnatia apo Via Egnatia po përdoren sot për kalim të këmbësorëve dhe mjeteve të lehta.
Por çfarë është rruga Egnatia dhe përse ajo i ka rezistuar kaq gjatë kohës?
Kjo rrugë u ndërtua nga Perandoria Romake dhe ndërtimi i saj nisi nga konsulli romak Gnaeus Egnatius, i cili i dha emrin e tij aksit. Ishte një aks i rëndësishëm për lidhjen e Adriatikut me Bosforin (Romën me Kostandinopojën).
Në Shqipëri ky aks niste në Dyrrah (Durrësi i sotëm) dhe si pikë dalje kishte Qafë Thanë – drejt Ohrit dhe Maqedonisë së Veriut. Segmenti shqiptar shtrihet përgjatë luginës së Shkumbinit. Gjatësia e përafërt në Shqipëri: rreth 150–170 km (vlerësim historiko-gjeografik sipas trasesë Durrës–Qafë Thanë).
Për ndërtimin e rrugës u përdorën shtresa gurësh të mëdhenj (fundament romak) për bazamentin dhe pjesa e sipërme me kalldrëm, me blloqe guri të latuar. Ky aks kishte dhe ka, në pjesët e mbetura, një gjerësi nga 4 në 6 m, e përdorshme për kalimin e dy qerreve paralelisht.
Qytete dhe vendbanime ku kalonte rruga Egnatia në Shqipëri
• Durrës (Dyrrah)
• Peqin (Claudiana)
• Elbasan (Scampis)
• Mirakë
• Librazhd
• Qafë Thanë (kalim malor)
Peqini dhe Elbasani shërbenin si stacione dhe qendra të rëndësishme përgjatë rrugës Egnatia.
Roli historik i aksit që u ringjall në 2026,
Arterie ushtarake romake, korridor tregtar Lindje-Perëndim, rrugë e përdorur edhe në periudhën bizantine dhe osmane, bazë për zhvillimin e qyteteve si Elbasani. Rruga vijoi të përdorej deri në shekullin XIX dhe mbeti korridor strategjik në Ballkan.



