
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka thënë se gripi sezonal ka shtuar intensitetin e përhapjes në vend.
Siç njofton ISKHPK nga 1 tetori 2021 e deri më 12 dhjetor 2021, janë raportuar gjithsej 15 mijë e 786 raste të sëmundjes së ngjashme me grip, të cilat janë drejt pragut epidemik.
“Qytetarë të nderuar! Kujdes! Gripi sezonal po shton intensitetin. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonës përkatëse tetor-maj. Edhe pse gripi sezonal akoma nuk ka arritur pragun epidemik, vërehet një intensitet i shtuar i rasteve me grip sezonal.
Nga fillimi i sezonës, 01 tetor 2021 (java e 40-të) deri më 12 dhjetor 2021 (java e 49-të) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë raportuar gjithsej 15,786 raste të Sëmundjes të ngjashme me Grip (ILI), 2,498 raste të Infeksioneve respiratore akute (ARI) dhe 69 raste me Infeksion të rëndë respirator akut (SARI)”, thuhet në njoftim.
IKSHPK thotë se, në laboratorët e Qendrës kombëtare të gripit është identifikuar tipi A i gripit sezonal, subtipi H3, i cili gjendet në komponentën e vaksinës së gripit e cila mbron personat e vaksinuar.
Instituti Kombëtar apelon te të gjithë Drejtorët Komunal të Shëndetësisë të ngritët niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.
Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal, por rekomandohet vaksinimi për të gjithë personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar.



