Shtatë ekspertë italianë do të mbërrijnë në Shqipëri, në ndihmë të autoriteteve shëndetësore në përballje me pandeminë. Task forca e Emergjencave Civile italiane e përbërë nga gjashtë ekspertë do të zhvillojë një veprimtari dypalëshe për një periudhë 14 ditore (nga data 30/07 deri në datën 13/08). Grupi i ekspertëve do të zhvillojë veprimtari konsulence dhe do të ndihmojë me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid-19.
Ekipi mbërrin sot në Rinas me avionin e Guardia di Finanza rreth orës 12 -12.30. Bashkë me ekipin do të vijë në Shqipëri edhe një sasi prej 500 000 maskash kirurgjikale të llojit II, dhuratë e strukturës së Komisarit të Jashtëzakonshëm Arcuri prodhimi i të cilave është autorizuar nga Instituti i Lartë italian i Shëndetësisë.
Grupi i përbërë nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes do të pritet nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, dhe nga ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.



