Kryetari i shoqatës së operatorëve turistikë Sarandë, Arben Çipa, ngre shqetësimin e largimit të pushuesve shqiptarë nga vendi ynë, drejt destinacioneve të tjera turistike jashtë vendit.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se protesta nuk ka ndikuar në anulimin e prenotimeve, përveç rasteve individuale.
Në nivel operatorësh turistik nuk jemi keq, pasi kontratat tona janë të paracaktuara. Në nivel individual, nga hyrjet në aeroportin e Tiranës, ne nuk e konfirmojmë dot. Por nga hyrjet në Shkodër dhe Sarandë, na rezulton se shifrat janë të mira, premtuese dhe në periudha të caktuara më mirë se viti i kaluar.
Turistët shqiptarë kanë filluar të largohen, fillojnë i organizojnë pushimet në vendet e tjera dhe kjo tregohet edhe nga fakti që nuk i kemi në destinacionet tona. Ky është realiteti sot. Turistët vendas i kanë planifikuar pushimet më herët për të shkuar sidomos në Greqi.
Është e vërtetë që ka një rënie të numrit të turistëve në javën e fundit të muajit korrik. Por nuk mund ta lidhin me protestat. Shqiptarët rezulton se nuk po prekin territorin tonë në përgjithësi, dhe pjesa më e madhe janë larguar në Greqi dhe Turqi.
Zona e Jugut është më pak e prekur nga anulimet, për shkak të situatës së protestës edhe prej distancës gjeografike.



