“Xhadat” zgjidhin problemin e familjes në Gramsh, OSHEE heq shtyllën elektrike lënë prej një viti në oborr

“Xhadat” zgjidhin problemin e familjes në Gramsh, OSHEE heq shtyllën elektrike lënë prej një viti në oborr

Familja Braçi në fshatin Vidhan të Gramshit denoncoi në emisionin “Xhadat” një problem që sipas tyre zgjaste prej më shumë se një viti. Në oborrin e banesës së tyre vazhdonte të qëndronte një shtyllë elektrike e amortizuar, edhe pse OSHEE kishte spostuar prej kohësh linjën elektrike në një shtyllë të re të vendosur jashtë pronës.

 

Emine Braçi dhe djali i saj, Etem Braçi, treguan se prej muajsh kishin kërkuar pranë OSHEE-së së Gramshit heqjen e shtyllës së vjetër, por sipas tyre ishin përballur vetëm me premtime. Një ditë para xhirimeve, znj. Braçi ishte paraqitur sërish pranë zyrave të institucionit, ku ishte informuar se shtylla do të hiqej “shumë shpejt”.

 

Familja shprehet se e kishte të vështirë të ndiqte vazhdimisht çështjen, pasi fshati Vidhan ndodhet më shumë se dy orë larg me makinë dhe kushtet ekonomike nuk ua lejonin të udhëtonin shpesh drejt qytetit.

 

Gjatë verifikimit në terren, gazetari i “Xhadat”, Ersid Karaj, konstatoi se shtylla e vjetër kishte deformime të dukshme dhe ndodhej pranë banesës, duke ngritur shqetësime për sigurinë e familjes.

 

Për këtë problem, “Xhadat” u drejtua pranë drejtorisë së OSHEE-së në Gramsh, ku takoi Dëfrim Guzin, shef ekipi. Ai pranoi se familja kishte paraqitur ankesën dhe sqaroi se ekipet ndodheshin në terren për shkak të një avarie në linjën elektrike të zonës. Guzi premtoi se shtylla do të hiqej brenda ditës së hënë, ose edhe më herët.

 

Por reagimi i OSHEE-së erdhi më shpejt se afati i premtuar. Të shtunën, më 6 qershor 2026, ekipet e operatorit shkuan në fshatin Vidhan dhe larguan shtyllën e vjetër nga oborri i familjes Braçi.

 

Pamjet e dërguara nga vetë denoncuesit tregojnë momentin pas ndërhyrjes, ku shtylla që për një vit kishte mbetur në pronën e tyre është rrëzuar dhe larguar, duke i dhënë fund një shqetësimi të vazhdueshëm për familjen.

 

Ky është një tjetër rast ku denoncimi në emisionin “Xhadat” ka sjellë reagimin e institucioneve dhe zgjidhjen e një problemi që prej muajsh mbetej pa përgjigje për qytetarët.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy