Qeveria e Portugalisë ka miratur një amnisti për azilkërkuesit dhe të huajt pa leje qëndrimi që kanë bërë kërkesë për të përfituar nga shërbimet shëndetësore, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri socialist Antonio Costa, ka vendosur të japë lejen e qëndrimit për të gjithë emigrantët që kanë aplikuar, të paktën deri më 1 korrik.
Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Claudia Veloso tha se njerëzit nuk duhet të privohen nga e drejta për shëndetësi dhe shërbime publike.
Ajo u shpreh se emigrantët duhet të jenë në gjendje të kërkojnë punë dhe të marrin të gjitha shërbimet publike, siç janë kujdesi shëndetësor, marrja me qira e një shtëpie ose e drejta për një llogari bankare.
Sipas saj, për t’u marrë një leje e tillë, ata duhet vetëm të tregojnë kërkesën që kanë aplikuar për leje qëndrim.
Portugalia deri më tani ka shënuar 119 viktima dhe 5 mijë e 962 persona të prekur nga Covid-19.
Vendi ka shënuar viktimën më të re në Bashkimin Europian, një 14 vjeçar që ndërroi jetë në spitalin “Sao Sebastiano” në Lisbonë.
Ai nuk kishte sëmundje të tjera serioze, por sipas gazetës lokale Publico, ai vuante nga psoriaza e rëndë, një sëmundje që mund të dobësojë sistemin imunitar.
Vdekja e të riut përtugez vjen disa ditë më pas nga vdekja e 16-vjeçares Juliet nga Franca./TPI/



