Të gjithë ata udhëtarë që vijnë nga Ballkani Perëndimor në Austri, duhet të vetizolohen për 14 ditë ose të jenë të pajisur me një certifikatë mjekësore që tregon se kanë dalë negativ nga koronavirusi.
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, tha për Reuters se masat e vendosura përfshijnë qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje Hercegovinës.
Masat e vendosura nga Austria janë parë si një goditje për Serbinë dhe Malin e Zi, pasi këto vende të martën nga Bashkimi Europian u shtuan në “listën e sigurt” të vendeve, duke lejuar udhëtimin e banorëve të tyre në BE.
Numri i të infektuarve është rritur ndjeshëm gjatë muajit të kaluar në Ballkanin Perëndimor, megjithëse rajoni në përgjithësi ka pasur norma më të ulëta se shumica e Europës perëndimore.
Para dy ditësh Bashkimi Europian vendosi që të mos rihapë kufijtë me Shqipërinë më 1 korrik, siç ishte paralajmëruar më herët.
Komisioni Europian miratoi një listë të shteteve që do mund të udhëtojnë drejt Europës, pjesë e së cilës nuk është Shqipëria.
Megjithatë, në dokument saktësohet se në varësi të ecurisë së pandemisë, lista do të rishikohet pas dy javësh, më 15 korrik.



