
Ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh se ka ardhur koha që të investohemi në burimet e duhura njerëzore, sa i përket shërbimit zjarrfikës për shkak të tipareve të veçanta që ka ky shërbim për sigurinë në vend.
Ai nënvizoi se duhet ndryshuar mënyra e përzgjedhjes të punonjësve të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit.
Unë e di fare mirë që na duhet të ndryshojmë mënyrën e përzgjedhjes të punonjësve të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit.
Për këtë kam besimin që kryetarët e bashkive e kuptojnë që vendi i punës së punonjësit të zjarrfikësit nuk është një vend për të bërë qokë, ku është dikush që të vjen çdo ditë te dera e bashkisë dhe të kërkon një vend pune.
Gjejini një vend pune tjetër, por nuk është vendi i punës të punonjësit të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit i bën për t’i bërë një nder dikujt.
Se duke u përpjekur t’i bësh nder, mund t’i bësh qeder atij dhe kolegëve të tij!
Duke folur rreth procesit të vlerësimit dhe certifikimit të punonjësve të shërbimit zjarrfikës, i Balla the se do të vazhdojë të plotësohen strukturat operacionale, me një proces ku përfshihet dhe Akademia e Sigurisë, në trajnimin, por dhe certifikimin e të gjitha niveleve në shërbimin zjarrfikës, ku marrja e gradës nuk mund të jetë më një vlerësim fiktiv, por duhet të jetë një vlerësim objektiv i performancës dhe natyrshëm i eksperiencës së fituar.
Balla bëri të ditur se ministria e Brendshme tashmë e ka filluar punën edhe për rishikimin e ligjit bazë që rregullon këtë shërbim, për riorganizimin e shërbimit zjarrfikës qoftë në nivel bashkie, por për të krijuar dhe një koncept bashkëveprimi në nivel qarku, apo dhe në forma të tjera.
Na duhet ta kategorizojmë sipas nivelit të bashkive, nevojën reale që ato kanë për shërbim zjarrfikës, duke mos harruar asnjëherë se edhe për bashki, në dukje të vogla, për nga numri i banorëve, kemi sipërfaqe të mëdha territoriale, të cilat duhen mbuluar me këtë shërbim; po ashtu me shtesa organike dhe hapje të stacioneve provizore gjatë sezonit turistik të verës, për t’u mbuluar të gjitha nevojat.
Dhe, sikurse e thashë, edhe ngritja e qendrës së trajnimit zjarrfikës është po ashtu një pjesë e rëndësishme e kësaj qasjeje të re.
Deklaratat, ministri i bëri gjatë ceremonisë së dorëzimit të disa mjeteve zjarrfikëse, dhuruar nga Qeveria Polake, për 3 bashkitë Lezhë, Fier e Pogradec.



