Sociologu Gëzim Tushe, për vajzën 15-vjeçare në Sarandë e cila u hodh nga kati i katërt i pallatit, për shkak të dyshimeve se bullizohej, thotë se rëndësi ka kujdesi prindëror, shkolla, mësuesi, mungesa e psikologut dhe komunikimi mes shokëve të klasës.
Ai deklaroi për “MCN Live” se bullizimi ka marrë përmasat e një helmi toksik që ka përfshirë adoleshentët dhe fëmijët.
Tushe ngriti si shqetësim, rivalitetin mes të rinjve dhe mungesën e vetëvlerësimit.
Sipas tij, familja është i pari institucion i formimit të personalitetit të fëmijëve, ndërsa shton se ka humbur empatia dhe kordoni i lidhjes me fëmijët.
Bullizmi po shfaqet në jetën sociale, në marrëdhënie mes njerëzve, në vende e punës dhe më gjerë.
Efektet dhe kundër efektet tek adoleshentët janë jashtëzakonisht të mëdha. Viktimat në dekadën e fundit kanë qenë të rinjtë dhe adoleshentët.
Kjo është e lidhur ngushtësisht me moshën. Adoleshentët janë nën presion prej dukjes, gjendjes ekonomike, si rasti i Sarandës, ku familja e së miturës ishte në gjendje të vështirë ekonomike.
Ka bullizim që vjen prej pamjes apo defekteve në lindje. Rrethanat që kemi kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë, tek shfaqja e simptomave të bullizmit.
Me rëndësi është roli i familjes. Mësuesi i klasës duhet të bëj një diagnostikim. Ka humbur empatia, kordoni i lidhjes me fëmijët.
Nëse do ishte kapur në kohën e duhur, unë mendoj se fenomenet e bullizimit, mund t’i shmangim dhe zhdukim.
Prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë kanë rolin kryesor, për të ndërtuar adoleshent që të kenë një vlerësim të mirë për veten.
Ajo që kanë prindërit dhe mësuesit në dorë, është që tek fëmijët të rritet ndjenja e vetëvlerësimit për ata që ata janë dhe jo për shkak të rivalitetit.
Prindërit janë mëkatarët e parë në problemet që po ndodhin sot me adoleshentët.
I pari institucion i formimit të personalitetit të fëmijëve tanë, është familja.
Roli prindëror deri në adoleshencë është si ai i perëndisë. Duhet një art i madh i prindërimit dhe edukimit në shkollë.
Ne kemi një mungesë të madhe komunikimi në familje dhe në shkollë.
Kur fëmija hyn në moshën e adoleshencës, prindi duhet të bëhet prind për së dyti.
Ne duhet t’i mësojmë fëmijët tanë se nuk është gjithçka pasuria dhe dukja.
Roli i psikologëve dhe sociologëve ka shumë rëndësi në shkollë.
Kur fëmija qan pa shkak, humb oreksin, nuk fle gjumë, nuk do të shkojë në shkollë, çfarë sinjali duhet më shumë për të kuptuar se gjendja nuk është e mirë.
Unë mendoj se në të ardhmen do të kemi probleme më të mëdha nga sa kemi sot.



