Në të gjitha universitetet publike dhe jopublike në vend, ka nisur vaksinimi për pedagogë e studentë, për të rritur aksesin në vaksinim, për mbrojtjen e tyre dhe për mbarëvajtjen e vitit të ri akademik.
Nga Fakultetit i Ekonomikut në Tiranë, ministrja Manastirliu, bëri me dije se 66% e arsimtarëve janë vaksinuar me të dy dozat, duke theksuar domosdoshmërinë e shtrirjes së procesit të vaksinimit për mësues, pedagogë e studentë, në mënyrë që mësimi të nisë fizikisht në auditore dhe për një mbarëvajtje sa më të mirë të vitit të ri akademik.
Duhet që brenda datës 11 tetor kur është dhe fillimi i vitit akademik të kemi një përqindje të lartë të studentëve të cilët vaksinohen dhe që praktikisht do të jenë në auditore për të filluar mësimin. Kemi deri më sot më shumë se 66% të pedagogëve, mësuesve dhe edukatorëve të vaksinuar me dy doza. Pra jemi në një përqindje relativisht të mirë të mbulesës vaksinale për kategorinë e arsimtarëve. Por fokusi është që të rrisim mbulesën vaksinale sepse vaksinat shpëtojnë jetën. Reduktojnë dhe ulin fatalitetet deri në 100%, ulin rastet e hospitalizimeve, pasi shmangin rastet e rënda apo format e rënda të sëmundjes dhe gjithashtu edhe krijojnë uljen e transmetueshmërisë.
Teksa u shpreh se ditën e sotme vijnë 30 mijë doza nga Pfizer, Manastirliu theksoi se qeveria do të sigurojë vazhdimësinë e furnizimit me vaksina.
Sot mbërrijnë më shumë se 30 mijë vaksina të Pfizer në Shqipëri. Qeveria është duke punuar për të rritur mbulesën vaksinale, por për të rritur edhe disponibilitetin në vaksina. Ndaj jemi duke punuar për të përfunduar dhe për lidhjen e kontratës së re me kompaninë Pfizer për mbi 500 mijë doza vaksine.



