
Një kompani në Verona ka prodhuar maska fytyre me portretin e Musolinit për t’u mbrojtur nga koronavirusi, duke shkaktuar kështu një debat të madh në opinionin publik në Itali.
Kompania kishte menduar që përveç portretit të Musolinit, në maskë të shkruhej edhe një thënie e tij: Ec, ndërto dhe nëse është e nevojshme lufto dhe fito!
Pas prodhimit të tyre, në rrjete sociale, nisi një debat i madh, por për çudi nuk munguan edhe zërat pozitivë në lidhje me këtë iniciativë.
“Mes shumë atyre gjërave që na ndodhen gjatë kësaj epidemie, kjo e shitjes së maskave mbrojtëse me portretin e Duçes, ishte më e pakëndshmja nga të gjitha”, deklaroi senatori demokrat, Vincenzo D’Arienzo.
Ndërsa, deputeti veronez Diego Zardini tha se për shkak të këtyre njerëzve që s’respoktojnë të shkuarën e vendit të tyre, imazhi i Veronës është dëmtuar.
Ai u shpreh se kjo është e patolerueshme që në qytetin e Medaljes së Artë për rezistencën, të qarkullojnë maska me fytyrën e Musolinit, i cili ka qenë njeriu përgjegjës për ligjet raciste, për masakrimin e mijëra italianëve dhe për shkatërrimin e vendit tonë për shkak të luftës së tij krah Hitlerit.
Dhe si për ironi të fatit, pikërisht me datë 9 Maj, bota kujton kapitullimin e nazizmit, me firmosjen e aktit të dorëzimit në vitin 1945.



