Rezervuari i Kasharit në Lushnje është përballur me një situatë të rëndë pas tharjes së plotë të tij, duke shkaktuar ngordhjen e peshqve dhe dëmtuar një prej zonave që për banorët e qytetit ka qenë edhe një pikë e rëndësishme çlodhjeje dhe rekreacioni.
Pamjet e siguruara nga emisioni “Xhadat” në MCN TV, treguan gjendjen e rezervuarit pas tharjes, ndërsa në terren janë angazhuar forca të Ushtrisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile për ndërhyrjet në zonë.
Për situatën dhe pasojat e saj ka folur edhe deputeti i opozitës, Saimir Korreshi, i cili e ka cilësuar problematikën si një dëm të rëndë ekologjik.
Por përtej pasojave mjedisore, tharja e rezervuarit ka prekur edhe një aktivitet ekonomik që lidhej prej vitesh me këtë hapësirë.
Ylli Kashari, qytetar që nga viti 2007 deri në vitin 2022 ka pasur kontratë me Ministrinë e Bujqësisë për aktivitetin në rezervuar, thotë se investimet dhe shpenzimet e kryera ndër vite tashmë i kanë shkuar dëm. Sipas tij, profesioni me të cilin është marrë prej vitesh është shkatërruar dhe sot ka mbetur pa aktivitet.
Rezervuari i Lushnjës ka pasur një tjetër pamje përpara se të thahej. Pamjet arkivore tregojnë një hapësirë të mbushur me ujë, të rrethuar nga natyra dhe të konsideruar nga banorët si një oaz qetësie dhe një pikë turistike për qytetin.
Problemet me administrimin dhe mirëmbajtjen e rezervuarëve nuk janë të reja.
Në një tjetër rast të trajtuar më herët nga “Xhadat”, Hajdar Gjoka nga Rrogozhina denoncoi situatën në rezervuarin e Okshtunit, ku peshqit kishin ngordhur pasi rezervuari ishte lënë pa ujë për një periudhë të gjatë.
Në atë rast, Bashkia Rrogozhinë dhe Ministria e Bujqësisë dhanë versione të ndryshme për përgjegjësinë mbi administrimin e rezervuarit. Drejtori i Bujqësisë në Bashkinë Rrogozhinë deklaroi se nevojitej kontratë me Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa Ministria tha se rezervuari ishte tashmë në administrim të bashkisë.
Edhe për situatën në Kasharaj, “Xhadat” kërkuan përgjigje nga Bashkia Lushnje.
Gazetari shkoi në bashki për të kontaktuar kryetaren Eriselda Sefa, por punonjësja e informacionit tha se kryetarja kishte dalë në terren. Gazetari sqaroi se ekipi sapo ishte kthyer nga rezervuari, ku ndodhej situata për të cilën kërkohej informacion. Pas kësaj, u depozitua kërkesa zyrtare për informacion, duke iu lënë bashkisë pyetjet me shkrim.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në rezervuar, gazetari u përball edhe me kufizime për filmimin. Forcat e sigurisë dhe një punonjës i Policisë Bashkiake kundërshtuan praninë e kamerës në zonën ku po kryheshin ndërhyrje nga Ushtria dhe Emergjencat Civile.
“Xhadat” sjellin edhe zërin e qytetarëve të Lushnjës për gjendjen e rezervuarit dhe reagimin e tyre ndaj tharjes së kësaj hapësire.
Bashkia Lushnje pritet të japë përgjigjen zyrtare për pyetjet nga “Xhadat”.



