Dymbëdhjetë persona, 11 prej të cilëve turistë nga vende të ndryshme kanë rrezikuar jetën në det më Vlorë, pasi mjeti lundrues kishte pësuar defekt.
Shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Vlorë, ka kërkuar ndihmën e policisë pasi përballë porit të Vlorës, mjeti i tij lundrues, kishte pësuar defekt në motor.
Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, me marrjen e njoftimit, u nisën menjëherë me një mjet lundrues dhe në bashkëpunim me mjetin lundrues të Rojës Bregdetare, bënë të mundur të shpëtojnë 12 shtetasit që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues, ku 11 prej tyre ishin turistë, nga vende të ndryshme si Polonia, Franca, Izraeli e Belgjika.
Shërbimet e Policisë Kufitare pasi kanë tërhequr drejt portit mjetin lundrues ku ndodheshin turistët, kanë kryer verifikimet nga të cilat ka rezultuar se mjeti lundrues i dalë në lundrim nga SPK Triport, është mjet lundrues për përdorim personal dhe nuk është i pajisur me Çertifikatën e Operatorit Turistik Detar.
Mjeti lundrues u bllokua dhe shtetasi E. L. u ndëshkua me masë administrative gjobë në masën 100 000 lekë, bazuar në Ligji Nr. 43/2020 “Për operatorët turistikë detar”.



