
Data e sotme, 16 nëntor, është një mundësi e shkëlqyer për ju që të kujtoni herën e fundit kur keni pasur një përballje me ndonjë individ, ku mund të keni mësuar për kulturën e tij apo të saj, apo të jeni treguar tolerant në ndonjë situatë! E pikërisht sot, kudo në botë shënohet ‘Dita Botërore e Tolerancës’, e cila zanafillën e saj e ka që nga viti 1995, e themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me qëllim që institucionet arsimore dhe publiku i gjerë, ta shohin tolerancën si një element kryesor të shoqërisë.
Sipas Deklaratës së OKB-së, tolerancë është pranimi i faktit se “qeniet njerëzore janë natyrshëm të ndryshëm për nga pamja, pozita, të folurit, sjelljet dhe vlerat, kanë të drejtë të jetojnë dhe të jenë ashtu siç janë”.
Për Komisionin për mbrojtje nga diskriminimi, kjo ditë paraqet mundësi që çdo qytetar të deklarohet për shoqëri tolerante pa dhunë, në të cilën respektohen të drejtat e njeriut.
Komisioni bën thirrje në respektim të dallimeve dhe i nxit qytetarët të japin parashtresa për diskriminimin me qëllim të zvogëlimit të tij dhe ngritjes së vetëdijes për respektimin e të drejtave të njeriut, tolerancës dhe dinjitetit të njeriut të cilat garantojnë jetë të sigurt pa dhunë, urrejtje, mosrespektim dhe nënçmim.



