
Protesta e pedagogëve ka vijuar dhe këtë të premte. Një ditë më parë u paralajmërua se bojkoti i procesit mësimor do të vijojë. Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi tha sot para mediave se në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen ata mund të përshkallëzojnë protestën, duke mos përjashtuar dhe kalimin në grevë urie, të cilën e quajti si "faza e fundit".
Ai tha se që rritja e pagës duhet të jetë jo vetëm për pedagogët, por dhe për ndihmës stafit akademik. Po ashtu, ditën e hënë, më 31 tetor në orën 11:00 pedagogët kanë njoftuar se do të mbajnë protestë kombëtare para korpusit universitar.
Nuk është vetëm rritja e rrogave, por dhe kërkimi shkencor. Universitet pa kërkim shkencor nuk ka, prandaj kemi kërkuar 0.3 % të GDP-së. Nuk dua që të kalojmë në fazën e grevës së urisë. Nuk shohin se çfarë është realiteti dhe nuk dëshirojnë ta ndryshojnë atë... Nuk duam të përdorim variantin e fundit, atë të grevës, por mund të përdoret për të ushtruar presionin e duhur mbi autoritetet për të reaguar në mënyrë konstruktive dhe ta kuptojnë rëndësinë e këtij bojkoti.



