
Në kuadër të Tetorit Rozë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zhvilloi aktivitetin ndërgjegjësues në Sheshin Skënderbej “Vrapo për Jetën”, për të rritur ndërgjegjësimin për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Ministrja Ogerta Manastirliu duke folur për ekzaminimet falas, u shpreh se është arritur që të sigurohet që çdo spital rajonal të ketë mamografi.
Mamografia për çdo grua është falas në çdo ditë të vitit, ndërsa në tetor shërbimi ofrohet edhe pasdite, edhe të shtunën. Duhet që çdo grua të dijë që mamografitë e lëvizshme janë kudo në Shqipëri për të kryer diagnostikimin kundër kancerit të gjirit.
Gjatë aktivitetit të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Sheshin Skënderbej, ku dy mamografët e lëvizshëm ofruan shërbimin e mamografisë falas, merrnin pjesë personalitete të politikës dhe diplomacisë, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Zv/Kryeministrja Belinda Balluku, ministre të kabinetit qeverisës, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim si dhe mjekë dhe ekspertë të fushës së shëndetësisë.
Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë. Në Shqipëri u diagnostikuan 714 gra me kancer gjiri gjatë vitit të fundit. Janë më shumë se 5 mijë gra që sot jetojnë me kancer gjiri në vendin tonë.



