Komiteti Ministror për Koronavirusin të premten i kërkoi kryeministrit Benjamin Netanyahu të vendosë një bllokim të ri në Izrael, për shkak të numrit të lartë të infeksioneve të shënuara gjatë ditëve të fundit.
Mësohet se tre mijë e 904 raste u regjistruan gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve me COVID në 31 mijë e 769 persona, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 1.054.
Vendimi i marrë të premten do të vlerësohet nga qeveria me datë 13 shtator. Siç duket, Izraeli do të jetë vendi i parë në botë që do të vendosë masat bllokuese për herë të dytë me qëllim ndalimin e përhapjes së virusit Covid-19.
Bllokimi, i cili do të zgjasë dy javë, do të përkojë me periudhën në të cilën festohen festat më të rëndësishme të kalendarit hebre, siç janë: festa e Rosh ha-Shana (Viti i Ri hebre) dhe Agjerimi Kippur. Për shkak të pandemisë, besimtarët nuk do mund të mblidhen për të festuar festat e tyre pikërisht ashtu siç do e donte tradita.
Referuar mediave izraelite masat bllokuese do të hynë në fuqi me datë 18 shtator, atëherë kur Netanyahu pritet të kthehet nga Uashingtoni, ku me datë 15 shtator ai do të nënshkruajë marrëveshjen e paqes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Masat do të jenë të ngjashme me herën e parë, ku qytetarët do të lejohen të dalin vetëm 500.m larg banesave të tyre, shkollat dhe bizneset do të mbyllen, përveç atyre që tregtojnë produkte ushqimore.
Lutjet do të mbahen në mjedise të hapura ose vetëm në ato hapësira që do të gjykohen të përshtatshme nga autoritetet shëndetësore.



