Numri i viktimave në Shtetet e Bashkuara për shkak të pandemisë globale të koronavirusit ka arritur në 5 mijë, përfshirë këtu edhe një foshnje vetëm gjashtë javëshe, e cila shënohet si viktima më e re në botë.
Në orët e para të së enjtes, u shënuan 5 mijë e 116 viktima në SHBA, sipas një njoftimi të Universitetit Johns Hopkins, i cili erdhi në të njëjtën ditë me vendosjen e një rekordi të zi ditor prej 884 viktimash brenda 24 orëve.
Një nga viktimat më të fundit në SHBA, ishte foshnja gjashtë javëshe, e cila u dërgua në një spital të Connecticut në fund të javës së kaluar.
“Testimi e konfirmoi foshnjen pozitiv me Covid-19”, tha të mërkurën guvernatori i shtetit Ned Lamont, duke shtuar më pas se “ky është një lajm tragjik”.
Numri i viktimave në SHBA vazhdon të jetë më i ulët se ai i Italisë dhe Spanjës, por ka shënuar një numër më të lartë se 3 mijë e 316 viktimat e regjistruara në Kinë, ku pandemia u shfaq për herë të parë në muajin dhjetor.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, SHBA, shënon numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara me koronavirus në botë, duke regjistruar 215.417 persona të infektuar.
Presidenti Donal Trump, i cili më parë s’e kishte pranuar efektin e pandemisë, të mërkurën tha: Këto kanë për të qenë dy javët më të vështira për ne si komb. Nuk dua të tregohem njeri negativ, të vij këtu dhe t'ju them se do humbasim 220 mijë veta gjatë javëve që vijnë. Por kur sheh në fund të ditës sa vdekje ka shkaktuar ky armik i padukshëm, është e pabesueshme.
Doktor Anthony Fauci të dielën e kaluar bëri një parashikim të ashpër, duke paralajmëruar se koronavirusi mund të vrasë 100 mijë deri në 200 mijë amerikanë.
Numri i të infektuarve me koronavirus në të gjithë botën ka arritur të enjten në një milion, ndërsa pandemia është përhapur me një normë “gati-eksponenciale”.
Gjysma e botës ka miratuar masat e bllokimit, ndërsa qeveritë po përpiqen të parandalojnë përhapjen e virusit në vendet e tyre./TVT.al/



