Zyrtarë të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare në SHBA janë shprehur se Shtetet e Bashkuara po hetojnë mundësinë se përhapja e virusit Covid-19 nuk erdhi nga një treg ushqimor, por nga një laborator kinez në Vuhan dhe që u përhap për shkak të një aksidenti.
CNN, duke iu referuar disa burimeve konfidenciale, raporton se zyrtarët e inteligjencës amerikane nuk besojnë se virusi është krijuar si pasojë e kërkimeve për ndërtimin e një arme mikrobiologjike në Kinë, por ata kanë nisur hetimet për një varg teorish, duke përfshirë atë që virusi e ka origjinën nga një laborator në Vuhan dhe që u përhap krejt aksidentalisht.
Burime të tjera kanë raportuar për CNN se inteligjenca amerikane nuk është në gjendje për t’a vërtetuar një teori të tillë, por po mundohet të mësojë nëse dikush është infektuar në ndonjë laborator për shkak të një aksidenti, i cili më pas, fatkeqësisht, mund t’a ketë transmetuar virusin tek njerëz të tjerë.
Sipas Washington Post, dy njoftime diplomatike të SHBA-së në vitin 2018, paralajmëruan për mungesë kapacitetesh të një laboratori të virologjisë në Vuhan, i cili po merrej me studime të rrezikshme mbi lakuriqët e natës.
Shënimet janë shkruar pasi diplomatët e Ambasadës Amerikane në Pekin, vizituan disa herë institutin e virologjisë në Vuhan, ndërsa hasën në kushte krejt të papërshtatshme sigurie.
Gazeta raporton se në dy muajt e fundit këto hipoteza kanë nxitur diskutime të shumta në qeverinë amerikane, pavarësisht se deri në këtë moment nuk ka dalë asnjë provë që mund të vërtetojë një hipotezë të ngjashme.
Komuniteti shkencor në SHBA është shprehur skeptik në lidhje me këtë hipotezë, duke mbështetur mundësinë se virusi mund të ketë ardhur nga kafshët dhe jo nga një eprovetë laboratorike.
Shkencëtarët prej kohësh e kanë përjashtuar mundësinë se virusi është krijuar artificialisht në laboratoret shkencorë, siç tregohet në një studim mbi llojet e virusit Sars-Cov-2 dhe viruset e tjera të përafërta, i botuar në revistën Nature Medicine.
“Duke krahasuar të dhënat gjenetike që janë të disponueshme deri më tani për llojet e ndryshme të koronavirusit, me vendosmëri ne mund të përcaktojmë se Sars-Cov-2 e ka origjinën nga proceset natyrore”, tha Kristian Andersen nga Instituti i Kërkimeve Scripps në La Jolla.



