Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar sot hapjen e Poliklinikave të Tiranës si qendra për të vaksinuar popullsinë.
Manastirliu apeloi që qytetarët të vaksinohen sa më shumë pasi rastet janë rritur dyfish në dy javët e fundit. Po ashtu ajo tha se dhe shtrimet në spital kanë pësuar rritje.
“Kemi një rritje me dy herë të incidencës dy javore dhe një rritje të pacientëve të shtruar në Infektiv dhe kjo tregon se kemi një rritje të infektimeve. Është e rëndësishme rritja e vaksinimit, ajo që kemi vënë re është se grupmoshat mbi 55 vjeç janë dhe më të prekurit dhe ne tashmë kemi krijuar mundësinë që të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç vetëm me një kartë identiteti me vete mund të vaksinohen kudo. Tashmë për të kryer vaksinën antiCovid janë vënë në dispozicion katër poliklinika në Tiranë. Për tu përgjigjur plani tonë kombëtar.
Ministrja Ogerta Manastirliu fton qytetarët të shfrytëzojnë muajin gusht për t’u vaksinuar sa më parë, teksa bëri me dije se po përgatiten udhëzimet e reja për shkollat dhe universitetet për masat anticovid.
Më shumë se 1 milion e 340 doza janë kryer që nga fillimi i vaksinimit masiv. Të gjithë qytetarët që kanë bërë dozën e parë të vaksinës duhet të bëjnë patjetër dozën e dytë nga ana tjetër ne të gjithë forca tona do i përqendrojmë te vaksinimi, pa lënë mënjanë maskën, distancën dhe higjienën. Ne nuk duhet të harrojmë se shumë shpejt do të nisë viti shkollor dhe universitetet dhe protokollet janë duke u rifreskuar nga të gjithë ekspertët tanë”, ka thënë ajo.



