Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në shenjë respekti e përulje të thellë dhe homazhi të merituar, nderoi sonte me dekoratën më të lartë të Shtetit Shqiptar të 38 Martirët e Kishës Katolike, të cilët u lumnuan më 5 nëntor nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
Ceremonia solemne e dekorimeve u zhvillua në Pallatin e Brigadave me pjesëmarrjen e familjarëve të Martirëve, autoriteteteve më të larta shtetërore, drejtuesve të Kishës Katolike në Shqipëri dhe përfaqësues nga Selia e Shenjtë, nga bashkësitë fetare shqiptare dhe akademikë, historianë dhe intelektualë.
Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti tha se e ndjente të nevojshme t’u kërkonte falje familjarëve në emër të shtetit shqiptar, duke kërkuar hartimin e një ligji të posaçëm nga Parlamenti që ngarkon Ministrinë e Drejtësisë për të rigjykuar të gjitha rastet e dënuar nga diktatura.
“Propozoj sonte që Parlamenti shqiptar të hartojë një ligj të posaçëm për Gjykatën Speciale, duke ngarkuar Ministrinë e Drejtësisë për të iniciuar procesin e vonuar dhe të domosdoshëm të rigjykimit me kërkesë të dhënies së pafajësisë, duke nga këta 38 martirë si një masë e domosdoshme, si dallimi esencial të lirisë nga tirania, si reflektim i shoqërisë mbi të mirën dhe të keqen , si ndarjen e saj me të kaluarën duke shëruar plagët e saj”, tha Presidenti Nishani.



