Reshjet intensive të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë probleme në qarkun e Gjirokastrës. Përveç ndërprerjes së energjisë elektrike në disa zona, kryesisht fshatra malore, në akset rrugore ka pasur rrezik për shoferët si pasojë e daljes së inerteve në rrugë.
Në një raportim në terren, gazetarja Jonida Qirko ngriti shqetësimin se Bashkia e Gjirokastrës nuk ka ndërhyrë gjatë verës për të marrë masa për sezonin dimëror, duke pasur parasysh edhe përmbytjet e janarit të këtij viti.
Në Gjirokastër në disa fshatra ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Kemi pasur edhe prani të inerteve në qytetin e Gjirokastrës. Tani situata e motit është përmirësuar dhe rikthimi i energjisë elektrike është bërë në këto zona.
Në pjesën e sezonit të verës banoret prisnin që të kishte një ndërhyrje nga Bashkia e Gjirokastrës, edhe për shkak të përmbytjeve që ndodhën në janar të këtij viti. Nuk ka pasur ndërhyrje për të marrë masa për të përballuar sezonin dimëror.
