
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka akuzuar mediat për sjellje tendencioze ndaj tij, duke deklaruar se po përballet me një shtyp armiqësor.
Trump tha se një eksperiencë të tillë asnjë president tjetër s’e ka provuar më parë, ndërsa theksoi se media po e trajton më keq se ç’ka trajtuar presidentin Abraham Linkoln, njeriun që udhëhoqi vendin gjatë Luftës Civile në SHBA dhe që u vra në një atentat në vitin 1865.
“Po përballem me një media armiqësore, një armiqësi që asnjë president tjetër s’e ka provuar më parë. Ndoshta më afër kësaj eksperience ka qenë ky zotëria këtu”, tha Trump, duke iu referuar përmendores së Linkolnit në Uashington.
Presidenti theksoi se gjithmonë thuhej se askush nuk është trajtuar më keq nga shtypi se sa Linkolni, ndërsa deklaroi se po trajtohet më keq se ai.
Reagimi i Presidentit për armiqësinë e medias ndaj tij, u nxit nga një pyetje e bërë nga një infermiere në pension.
Ajo shkruante se përshëndeste Presidentin për “përkushtimin e madh ndaj vendit”, duke shtuar se kërkonte sqarim për prezantimin dhe ngrinte pyetjen se për çfarë aryse ai përdor fjalë që mund të cilësoheshin si terma bullizmi dhe pse nuk iu përgjigjet drejtpërdrejt pyetjeve të gazetarëve, ndërsa merret me numërimin e sukseseve të administratës së drejtuar prej tij duke folur kuturu.
Presidenti e falenderoi qytetarën amerikane për pyetjen, ndërsa më pas ai filloi duke sulmuar gazetarët dhe mediat.
Pjesa më e madhe e medias është njësoj sikur të jenë anëtarë të Partisë Demokrate, tha presidenti.
“Më duket se po të sillem mirë me ta (gazetarët), do më marrin nëpër këmbë,” deklaroi Trump, duke shtuar se kur del në publik para gazetarëve, “në vend që të më bëjnë pyetje normale, shoh një nivel zemërimi e urrejtjeje, aq sa i pyes “Si e keni hallin? Ku qëndron problemi?”



