Procesi i vaksinimit ka vijuar ditën e sotme në Dibër dhe në Fier, ku mësuesit kanë marrë dozat e para të vaksinës të AstraZeneca-s.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga Fieri, deklaroi se nuk ka përqindje të lartë të refuzimit për marrjen e kësaj vaksine, duke theksuar se nuk është me detyrim dhe se ata që nuk e marrin tani mund të vaksinohen edhe më vonë.
“Aktualisht nuk ka pasur përqindje alarmante pasi bëhet një vlerësim para se të kryhet vaksina. Shihet gjendja e mësuesve, nëse mjeku klasifikohet për bërë vaksinën. Vaksina nuk është e detyrueshme por është e këshillueshme. Dje ka pasur një mbledhje të Komitetit Kombëtar të Imunizimit që ka vendosur vijimin e procesit të vaksinimit”, tha Manastirliu.
Nga ana tjetër, në Fier priten të vaksinohen në total 1202 mësues, në 3 qendra vaksinimi. Përfaqësuesja e Zyrës së Drejtorisë Arsimore, vuri theksin se asnjë nga mësuesit që nuk do të vaksinohet, kurrsesi nuk do të penalizohet.
Komiteti Kombëtar i Imunizimit ka vendosur vijimin e vaksinimit me AstraZeneca pavarësisht vendimit të disa shteteve europiane për të ndaluar imunizimin me atë të saj si pasojë e dyshimeve se kjo vaksinë sjell mpiksje të gjakut.



