629 pasagjerë kanë mbërritur sot në mëngjes në Portin e Durrësit. Ata janë nisur nga porti i Barit, me tragetet Rigel dhe Azzurro. Sipas tyre, në zonat e jugut të Italisë nuk ka panik për koronavirusin. Mësohet se pas kontrolleve atyre u është marrë adresa e origjinës dhe numrat e telefonit.
Prej ditës së djeshme, Drejtoria e Përgjithshme Detare ka pezulluar transportin detar të mallrave dhe njerëzve nga Durrësi drejt Italisë së Veriut.
"Ndalohen të gjitha lëvizjet me mjetet e transportit detar nga të gjitha portet drejt Italisë së Veriut; Ndalohen të gjithë lëvizjet me mjetet e transportit detar të pasagjerëve dhe/ose mjeteve në Linjën Durrës-Ankona- Durrës dhe Durrës-Trieste-Durrës”, u tha në njoftim.
Gjithashtu, të gjitha mjetet e transportit detar që kanë destinacion Portet e Hapura të Republikës së Shqipërisë nuk do ju lejohet zbritja e ekuipazhit nga anija në portet përkatëse.



