Hotelet, motelet dhe vendpushimet nuk do të jenë më njësoj prej pandemisë së koronoavirusit.
Business Insider foli me drejtorët e Hilton, Club Med dhe Aman Resorts për mënyrën se si koronavirusi do të ndryshojë qëndrimin në një hotel.
Hotelierët parashikojnë që ambientet e vogla do jenë më të parapëlqyera prej turistëve; shërbimi ‘’buffet’’ mund jetë një gjë e së kaluarës; dhe shërbimi i dhomës mund të jetë si ‘’çantë e lënë jashtë derës.’’
Ndërkohë që vendet po rihapen, kompanitë e hotelerive po përgatiten për të pritur turistët e parë e për t’i bërë ata të ndihen të sigurtë.
Ja çfarë duhet të prisni herën tjetër që do qëndroni në një resort:
1. Njerëzit po kërkojnë vendqëndrime të vogla e pak të populluara
Sipas, Carolyne Doyon, CEO dhe Presidente e Club Med North America, do rritet kërkesa për resorte me vëllim të ulët, të cilat janë të integruara me natyrën përreth. Ajo parashikon ndërtesa të ulëta më shumë sesa ndërtimet tradicionale prej betoni.
Një rikthim do jenë dhe motelet të cilat që tani po përjetojnë një rritje kërkesash pikërisht prej kompozimit të tyre tradicional; hapësira të vogla, numër i kufizuar njerëzish dhe vende parkimi afër dhomave përkatëse, elemente këto që shmangin ekspozimin e tepërt ndaj të huajve.
2. Check-in elektronik dhe matje e temperaturës pas mbërritjes në hotel
Tashmë kontrollet po kryhen prej celularëve smart, duke zvogëluar kontaktin fizik. Gjithashtu, klientët mund të përdorin çelës elektronik, i cili mund të hapi dyer, ashensorë apo ambiente si palestra. Shumë marka kanë thënë se do të kontrollojnë temperaturën e klientëve kur të arrijnë në hotel.
3. Jo më komshinj të zhurmshëm
Herën tjetër që do qëndroni në hotel, dhoma ngjitur mund të jetë bosh. Disa qytete, shtete dhe hotele kanë deklaruar që do ulin kapacitetet e tyre me 50 % duke ulur kështu dhe mundësinë për të pasur kontakt përgjatë holleve.
4. Mirëmbajtje vetëm pas check out-it
Tashmë çdo dhomë do përmbajë pajisjet higjienike si maska apo dezinfektues duarsh. Sendet e panevojshme si jastëkë zbukurues do të hiqen për të lehtësuar procesin e higjienizimit.
Gjithashtu, mirëmbajtja nuk do të kryhet në dhomën e klientëve gjatë qëndrimit, përveçse nëse kërkohet posaçërisht. Dhomat do të vazhdojnë të pastrohen plotësisht pas check-out-it.
5. Shërbim i ri dhome: Një çantë jashtë dere
Personat që udhëtojnë shpesh mund të jenë mësuar me shërbimin direkt në dhomë nga një kamarier energjik që shtyn një karrocë të bardhë të veshur me mbulesë tavoline.
Në këto kohë rekomandohet që ky shërbim tradicionial të zëvendësohet me dërgesat pa kontakt. Shërbimi i ngrënies në dhomë do të vijë "në formën e një qeseje tregu të lënë në derë" ku çdo ushqim dhe pije do dorëzohen të paketuara.
6. Thuajini mirupafshim shërbimit tradicional ‘’buffet’’
Sallat e mëngjesit mund të mbyllen përkohësisht, për të shmangur grumbullimin e panevojshëm të klientëve. Në rast se hoteli do zgjedhë të vazhdojë këtë shërbim, mëngjesi duhet të serviret nga një person me veshje të përshtatshme, ushqimet do jenë të paketuara e të vendosura prapa xhamave për të shmangur kontaminimet nga pakujdesi si kollitje apo tështimë.
7. Prisni të vendosni maska në trajtimet e spa-ve
Këshillohet që palestrat dhe pishinat të mbeten hapur përsa kohë janë të përshtatura për distancimin social dhe përsa kohë dezinfektohen disa herë në ditë.
Vetëm një person është i lejuar në një kohë brenda hapësirave të mbyllura si dhoma me avull dhe sauna.
Terapistët do mbajnë veshjet e nevojshme, maska dhe doreza e po ashtu dhe klientët.
Këto ndryshime pritet të rrisin kërkesën për përdorimin e ambienteve të jashtme. Do jetë e nevojshme programimi i hapësirave për aktivitete si noti, gatimi apo dhe netët e kinemasë.
8. Zbatimi me përpikmëri i protokollit të pastrimit dhe veçimit shoqëror
Hotelet janë angazhuar për të trajnuar punonjësit e tyre me qëllim forcimin e protokollit të higjienës, ndërkohë që do kujdesen për pajisjen me uniforma, maska dhe doreza.



