Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur, Qendra Kombëtare për Fëmijët e Humbur, një shërbim i përbashkët i CRCA/ECPAT Shqipëri, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Policisë së Shtetit. CRCA kërkon mbrojtjen e fëmijëve nëpërmjet zbatimit të sinjalit Amber.
“Pjesa më e madhe e vendeve europiane kanë vite tashmë që zbatojnë Sinjalin Amber, sa herë që një fëmijë humbet dhe dyshohet se është në rrezik për jetën. Ndërkohë që Policia e Shtetit, ndonëse i është ofruar falas ky shërbim prej tashmë dy vjetësh nga Qendra Kombëtare për Fëmijët e Humbur në Shqipëri, vazhdon ende të mos kthejë përgjigje zyrtare për zbatimin ose jo të saj”, thuhet në kërkesë.
Sipas statistikave të Policisë së Shtetit, përgjatë viteve 2016-2019 kanë humbur 365 fëmijë, prej të cilëve 258 vajza dhe 107 djem. Ndërsa 353 fëmijë janë rikthyer pranë familjes, pjesa tjetër vijojnë të konsiderohen të humbur. Çdo vit, më tepër se 850 000 fëmijë në botë raportohen të humbur.
“Pikërisht sot, në ditën kur e gjithë bota sjell në vëmendje të gjitha përpjekjet që çdo shtet realizon për fëmijët e humbur, një vajzë 12 vjeçare rezulton e humbur që dje dhe nuk dihet asgjë për fatin e saj, si dhe të paktën 14 fëmijëve të tjerë të humbur në vitet e shkuara. Disa prej këtyre fëmijëve rezultojnë të rrëmbyer nga familjarët e tyre, të tjerë largohen nga familja për shkak të dhunës dhe abuzimit, ku rreziku kryesor është që ata të bëhen pre e grupeve kriminale apo grabitqarëve seksualë”, thekson CRCA në kërkesën e saj.



