
Një grua u arrestua në SHBA pasi i dërgoi presidentit Donald Trump një zarf që përmbante në të një substancë toksike.
Dërgesa që ishte nisur nga Kanadaja për në Shtëpinë e Bardhë u zbulua javën e kaluar nga hetuesit, përpara se ajo të mbërrinte në zyrën postare të rezidencës presidenciale.
Hetimet nisën menjëherë, duke çuar ditën e sotme (e marte) në arrestimin e një gruaje në Nju Jork, e cila hyri nga Kanadaja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Identiteti i gruas nuk është zbuluar ende, as arsyeja që e shtyu atë të dërgonte një zarf presidentit Trump me një substancë toksike brenda, vetëm 45 ditë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Në momentin e arrestimit, ajo mbante një armë zjarri. Mësohet se brenda zarfit të dërguar për Presidentin, ajo kishte futur një protein toksike të marrë nga vaji i ricinit.
Siç raporton CNN, zarfi u zbulua menjëherë, ndërsa theksohet se u deshën dy teste të ndryshme për të konstatuar natyrën e substancës që ishte vendosur në të.
Kjo nuk është hera e parë që një ngjarje e tillë ka ndodhur në SHBA. Në vitin 2011, katër persona që banonin në Gjeorgji u arrestuan dhe u dënuan me burg për dërgimin e letrave me ricin në disa qytete.
Dy vjet më vonë, ishte radha e Barack Obamës që të ishte marrësi i një zarfi të tillë. Për fat të mirë, edhe në atë rast, asgjë nuk ndodhi.



