
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), Rezana Vrapi, të enjten, ka dhënë disa detaje të reja në lidhje me procesin e administrimit të Maturës Shtetërore 2020-të.
Vrapi tha se “ka rregulla të administrimit që lidhen me mënyrën se si nxënësit hyjnë në mjedisin e provimit, mënyrën se si ulen, mënyrën se si monitorohen, etj”, ndërsa thekson edhe rregullat më të forta që lidhen me mosmarrjen e celularit dhe moskomunikimin në mjedisin e provimit:
“Rregullat më të forta kanë të bëjnë veçanërisht me besueshmërinë e të gjithë procesit. Pra, mosmarrjen e celularëve dhe moskomunikimin në procesin e mjedisit. Këto janë të sanksionuara në rregulloren e Maturës Shtetërore. Prandaj bëj me dije: çdo maturant, ditën e provimit të mos ketë celular me vete, të mos komunikojë në mjedis. Në të kundërt, do të penalizohet dhe për 1 vit rresht, ai nuk do të ketë më të drejtë që ta japi këtë provim”, mbyll video-mesazhin e saj Rezana Vrapi.
Drejtoresha QSHA-së, më herët informoi mbi nivelet e vështirësisë të testeve të Maturës Shtetërore 2020.
Ajo nënvizoi se testet e maturës shtetërore bazohen në tre nivele vështirësie.
“Niveli i parë që ka të bëjë me njohjen dhe të kuptuarin. Është 40% e totalit të pikëve të testit. Niveli i dytë ka të bëjë me zbatim dhe analizë. Është sërish 40% e totalit të pikëve të testit. Niveli i tretë është edhe niveli më i lartë i testit (20%). Përgjithësisht kontrollon njohuritë që kanë të bëjnë me sintezën dhe vlerësimin”, tha ajo.
Vrapi theksoi se kjo është një skemë, të cilën çdo test i maturës shtetërore është i detyruar që ta zbatojë. Në fund të video-mesazhit, ajo tha se testet e maturës shtetërore janë të niveleve mesatare.



