Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të saj, Rustem Gjata.
Në mesazh thuhet se Gjata e ka ushtruar detyrën e kryetarit të parë të Gjykatës Kushtetuese në vitet 1992-1998, një periudhë me rëndësi të veçantë për ndërtimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Po ashtu shtohet se ai do të kujtohet me respekt të veçantë si një nga figurat themeluese të drejtësisë kushtetuese, pasi në një periudhë kyçe për tranzicionin drejt shtetit të së drejtës, kontribuoi në ngritjen dhe forcimin e rolit të Gjykatës Kushtetuese, si garante e Kushtetutës dhe e të drejtave themelore.
Në cilësinë e tij si jurist dhe anëtar i Komisionit të Ligjeve në fillim të viteve ‘90, z. Gjata ishte ndër kontribuuesit kryesorë në ndërtimin e kuadrit ligjor që rregulloi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në një kohë kur Shqipëria po ndërtonte institucionet e saj demokratike nga e para.
Ky kontribut përbën edhe një nga elementet më të rëndësishme të trashëgimisë së tij profesionale dhe institucionale. Në këto momente të vështira, Gjykata Kushtetuese i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.



