Udhëheqësit e shtatë vendeve europiane në Mesdhe të enjten deklaruan se ishin gati të mbështesnin sanksionet e BE-së kundër Turqisë, nëse Ankaraja shmang dialogun mbi përshkallëzimin e tensioneve për hapësirën detare.
Presidenti francez Emmanuel Macron organizoi një samit në Korsikë me shpresën se do të gjejë gjuhën e përbashkët mes vendeve, përpara takimit të ardhshëm të BE-së që pritet të zhvillohet brenda këtij muaji.
Macron priti krerët e gjashtë shteteve të tjera të BE-së, duke përfshirë edhe Greqinë, rivalin rajonal të Turqisë.
Presidenti francez deklaroi para samitit se Turqia, një vend anëtar i NATO-s, nuk ishte më një partner në Mesdheun Lindor dhe se qytetarët e saj meritojnë diçka tjetër, ndryshe nga mënyra se si sillet aktualisht qeveria.
Franca ka mbështetur fuqimisht Greqinë dhe Qipron përballë Turqisë, duke shkaktuar ankth për përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes këtyre vendeve.
Pas bisedimeve me Italinë, Maltën, Portugalinë, Spanjën, Greqinë dhe Qipron, Macron deklaroi se krerët e këtyre vendeve dëshirojnë të dialogojnë “në mirëbesim” me Turqinë, në përpjekje për të gjetur gjuhën e konsensusit.
Por deklarata e fundit e lëshuar nga krerët e këtyre vendeve, tregoi qartë se sanksionet ishin mbi tavolinë, nëse Turqia nuk tërhiqej nga veprimet agresive të saj.
“Na vjen keq që Turqia nuk iu është përgjigjur thirrjeve të Bashkimit Europian për t’i dhënë fund veprimeve të saj të njëanshme dhe të paligjshme në Mesdheun Lindor dhe Detin Egje”, thuhej në deklaratë.
“Ne deklarojmë se në mungesë të progresit në dialog dhe nëse Turqia nuk heq dorë nga veprimet e njëanshme të saj, BE është e gatshme të ndërmarrë disa masa kufizuese”, thanë udhëheqësit e këtyre vendeve, duke shtuar më tej se këto masa mund të diskutohen në Këshillin Europian në datat 24-25 shtator.
Ndërkohë ministri i Jashtëm turk Cavusoglu ka akuzuar për këtë veprim qeverinë greke se kundërshton dialogun duke theksuar se nëse Greqia beson tek forca e saj, nëse ka kurajo tek pozicionimet e saj, le të vijë në tryezën e bisedimeve.
Provokimi i Turqisë po i afrohet pikave të absurditetit- ka qene përgjigjja e menjëhershme e homologut grek Dhendias, ndërsa BE ndjek me shqetësim zhvillimet në konfliktin greko-turk që nuk ka gjasa të shuhet shumë shpejt.
Këtë të shtune kryeministri Mitsotakis pritet të shpallë një program të ri emergjent armatimi nga Panairi Ndërkombëtar i Selanikut, ndërsa forcat ushtarake greke do të forcohen edhe me 17 mijë ushtarë të tjerë brenda një dekade.



