Bashkimi Evropian po mendon për shtetet e varfra në këtë kohë pandemie. Unioni po harton një propozim, ku do t’u kërkohet vendeve të pasura të botës që të negociojnë me kompanitë farmaceutike dhe të parapaguajnë për zhvillimin e vaksinave kundër koronavirusit.
Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursual Von Der Leyen, në këtë mënyrë do të shmanget gara mes superfuqive për vaksinën.
Ky plan është pjesë e një strategjie më të gjerë të BE-së për të siguruar doza të mjaftueshme për bllokun dhe për vendet më të varfra të botës, nëse vaksina zhvillohet nga vendet më të pasura, si Shtetet e Bashkuara apo nga Kina.
“Ne do të bashkëpunojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të rezervuar një kontingjent vaksinash për vendet me të ardhura të mesme të dhe ulëta. Vendet e pasura duhet të bashkohen dhe kështu të ndihmojnë qasjen maksimale të të gjithë atyre që kanë nevojë,” tha Von Der Leyen duke shtuar “Kur luftojnë një pandemi globale nuk ka vend të themi “unë i pari”. Evropa nuk është një ishull i veçuar. Ekonomitë tona janë të ndërlidhura,” tha ajo.
Më 27 qershor, është planifikuar të mbahet një samit global mbi strategjitë e vaksinave.



